E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohen tre banorë të Lalësit, shkulën telat e firmës në bregdet

29/06/2011  Do ndërtohet fshat turistik, vijojnë konfrontimet. Të ndaluarit: Është pronë e jona

DURRES- Tre persona, banorë të fshatit Lalës, janë shoqëruar forcërisht në policinë e Durrësit për shkak të konfrontimit me punonjësit e firmës OMNIX, e cila ka nisur të ndërtojë në Gjirin e Lalësit kompleksin turistik. Nisja e procesit penal ndaj tyre ka ardhur, pasi këta e të tjerë persona kanë nisur të shkulin panelet prej hekuri si dhe të shkatërrojnë rrethimin prej teli të kurthuar nga firma. Një ditë para se policia të kryente këtë veprim banorët patën deklaruar se nuk do të lejojnë firmën të rrethojë pronat e tyre, ndërsa kanë deklaruar se toka e zënë nga firma është në pronësi të tyre dhe e trashëguar prej një shekulli.

Të ndaluarit

S. K 21 vjeç, L. M 34 vjeç dhe A. M 37 vjeç të tre banues në Bashkinë e Sukthit janë bërë objekt i shoqërimit në polici duke u përballur kështu me hetimin për shkatërrimin e pronës në bashkëpunim. Shoqërimi i tyre është bërë dje në orët e para të ditës në kohën që shtetasit e mësipërm kanë qenë në banesat e tyre. Burime policore thonë se të tre shtetasit janë survejuar lidhur me veprimet që kanë bërë në kohën kur banorët në Shën Pjetër të komunës së Ishmit kishin organizuar protestë, duke u ndeshur me policinë dhe forcat RENEA për shkak të nisjes së punimeve nga një firmë. Banorët pretendojnë se firma u ka pushtuar tokën dhe kjo i ka nxitur ata drejt rebelimit. Policia i ka akuzuar ata për shkatërrim prone, pasi rezulton se në bashkëpunim mes tyre kanë shkulur 40 m tel dhe 90 panele hekuri 2 x 200 m. Situata në Shën Pjetër është thuajse e njëjtë me ngjarjen e 1 korrikut të vitit të shkuar në Hamallaj. Nëse palët do të vijojnë të mos gjejnë kompromis, atëherë situata pritet të acarohet edhe më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›