E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet teli elektrik, mbetet fshati pa drita

FIER Rreth 300 metra tel përcjellës elektrik prej bakri është vjedhur nga persona ende të paidentifikuar në zonën e Povelçës, në komunën Dërmënas, rrethi Fier. Si pasojë, 250 familje të këtij fshati janë pa energji elektrike prej dhjetë ditësh. Në vendngjarje duken qartë gjurmët e vjedhjes, telat e këputur dhe izolatorët e rënë përtokë. Edhe pse banorët kanë kërkuar ndërhyrje për riparim të dëmit dhe rikthim të energjisë në banesat e tyre, nga ana e kompanisë CEZ nuk është dërguar sasi teli përcjellës, me pretendimin, kjo sipas banorëve, se ata duhet të paguajnë për dëmin e shkaktuar dhe jo kompania.

Në vendngjarje ka mbërritur policia e rendit, ekspertë të grupit të hetimit si dhe krerët e këshillit dhe të komunës Dërmënas. Banorët kërkojnë energji elektrike. Sipas tyre, ata janë abonentë dhe pagues të rregullt të faturave të energjisë. Kreu i fshatit Povelçë, Pëllumb Zotaj, pohoi se kjo është e disata herë që kjo zonë dëmtohet nga vjedhjet e telave përcjellës.“Këtë vjedhje nuk e kryejnë njerëz dosido - tha ai. Por njerëz që e njohin profesionin e elektricistit. Shteti nuk mund të vendosë në çdo shtyllë policë për ruajtje, por as edhe të rrijë indiferent përballë kësaj gjendjeje. Hajdutët na kanë dëmtuar shumë edhe biznesin - përfundon ai. Kryetari i komunës, Viktor Fasko, deklaron se “edhe pse i ka kërkuar kompanisë CEZ të ndërhyjë zgjidhja duket e largët Shkresa, ankesa, takime kemi zhvilluar gjatë këtyre ditëve, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete”. Fenomeni i vjedhjes së përcjellësve elektrikë është i shtrirë në gjithë zonën bregdetare. Policia e rendit organizoi shërbime ruajtjeje me policë, por edhe kjo metodë duket se ka dështuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›