E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, nis vendosja e taksimetrave për taksitë

 

Fabiola Çela

Kushdo që do të udhëtojë me taksi pagesa do t’i llogaritet në bazë të një tarife fikse për kilometrat që ai ka përshkruar. Pas daljes së udhëzimit të ri të Ministrisë së Transporteve, ka nisur pajisja me taksimetra e taksive. Falë kësaj pajisjeje të re, qytetarët do të mund të informohen saktë se sa para i detyrohen taksistit për çdo metër të përshkruar. Por vendosja e kësaj pajisjeje ka anët e saj pozitive dhe negative. Taksistët janë dakord me vendosjen e këtyre taksimetrave, por nga ana tjetër nga ky rregull i ri përjashtohen taksitë që operojnë pa licencë. Kjo pasi me taksimetër do të pajisen vetëm taksitë që janë të licencuara, ndërsa të tjerat do të vazhdojnë t’i vendosin tarifat e udhëtimeve sipas përllogaritjeve të vetë taksistit.
Tarifat 
Shitja e taksimetrave kryhet nga disa kompani që kanë fituar tenderin për shpërndarjen e tyre. Një pajisje e tillë kushton nga 300 deri në 230 euro. “Vendosja e taksimetrave është një detyrim për të gjitha taksitë. Kjo pasi nëse taksisti nuk disponon një pajisje të tillë, atëherë bashkia nuk i jep licencën. Aktualisht ka nisur vendosja e taksimetrave. Ne si sindikatë nuk jemi kundra ligjit, pra jemi pro vendosjes së tyre. Taksimetri është një pajisje që nuk të lë të abuzosh”, është shprehur dje kryetari i sindikatës së transportit, Gëzim Qato. Sipas tij, për sa i përket tarifës ajo është e ndarë sipas qyteteve, sipas distancave të përshkruara brenda për brenda qytetit, apo jashtë tij, si dhe për udhëtimet që kryhen gjatë ditës apo natën. Të gjitha këto tarifa janë të përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Transporteve. Por Qato nuk ka lënë pa përmendur edhe problemet me të cilat haset ky sektor. Sipas tij, që nga janari i këtij viti bashkitë nuk kanë dhënë licenca 5-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe janë dhënë vetëm autorizime për shtyrje të afatit. Kjo për shkak të ligjit të ri për licencimin e taksive, që ka dalë në janar të këtij viti. Sipas Qatos, brenda javës që vjen ata do të zhvillojnë një takim me zyrtarë të Bashkisë së Tiranës për të gjetur një zgjidhje të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›