Sondazhet e CNN: Obama në avantazh, 5 pikë para Mekein
Një mesatare e sondazheve të fundit në Miçigan, tregon se në Shtetet e Bashkuara ende vazhdon “lufta” për garën presidenciale, duke anuar nga Obama. Një sondazh përmbledhës i sondazheve në Miçigan, i organizuar të shtunën, tregon se senatori Barak Obama është 5 pikë në avantazh kundrejt Xhon Mekein, përkatësisht 47 për qind me 42 për qind, me 11 për qind të votuesve ende të pavendosur. Duket se kriza aktuale financiare nga “Wall Street” në “Main Street” do të jetë një faktor i madh ndikues në zgjedhje. “Lufta aktuale në ekonomi mund të jetë karta triumfuese e Obamës”, ka vlerësuar studiuesi politik në CNN, Alan Silverleib. “Obama është në avantazh karshi Mekeinit në sondazhet tona kryesore me qendër në Miçigan, sidomos kur trajtohet tema e ekonomisë së rënduar në vend dhe programet e dy kandidatëve. Lajmet e këqija nga ‘Wall Street’ gjatë ditëve të fundit po luajnë në avantazh të Obamës”. Në katër zgjedhjet e fundit presidenciale, shteti i Miçiganit ka votuar për kandidatin demokrat, por në zgjedhjet e fundit votimet ishin shumë afër njëra-tjetrës, kur senatori Xhon Kerri e mundi presidentin aktual Bush në këtë shtet me vetëm 3 pikë. Kriza në “Wall Street” nuk është lënë pa shfrytëzuar nga senatori Obama gjatë fushatës së tij të tri ditëve të fundit. Sipas kandidatit demokrat për president, kriza në “Wall Street” ka ndikuar thellësisht në ekonomin e vendit. Në një fjalim përpara grave votuese gjatë ditës së djeshme në Daytona Beach, Obama theksoi në temën e tij, se administrata e Bushit ka dështuar dhe ishte politika e republikanëve që ka çuar edhe në krizën e turbullimin e “Wall Street”, si dhe vendimet e qeverisë për të shpenzuar miliarda dollarë nga paratë e taksapaguesve për garanci financiare. ai sulmoi edhe kandidatin republikan për presidencën Xhon Mekein, duke vlerësuar se vendi nuk mund të ndryshojë drejtim më një shofer të ri, i cili do të ndjekë po atë hartë të vjetër. Administrata Bush i ka kërkuar Kongresit dje miratimin për të përdorur qindra miliarda dollarë në përpjekje për të stabilizuar dhe rikthyer besimin në ekonominë e vendit.
Fansat e futbollit preferojnë Obamën
Sipas gazetës prestigjioze “The Guardian”, fansat e futbollit amerikan do të linin një ndeshje pa parë për të ndjekur Obamën dhe jo Mekein. Kjo për ta do të ishte më tepër se futbolli dhe një birrë. Sipas një sondazhi nacional, me një diferencë të vogël, Obama ka dalë fitimtar në preferencat e amerikanëve, 50 për qind përkundër 47 për qind për Mekein, nga ata që do ta kthenin kanalin e ekranit nga ndeshja në një fjalim politik. Sipas Stephen Hess të Institutit “Brookings”, amerikanët duan një president me të cilin ata mund të hanë edhe drekë apo të pinë një birrë. Në fund të fundit, komenton gazeta, çështja nuk është thjesht futbolli, amerikanët apo diçka tjetër. Çështja është nëse votuesit besojnë se presidenti i tyre i kupton dhe ndan shqetësimin me ta.
Mekein, në shënjestër Obamën
Ndërsa gara për presidencën amerikane po i afrohet dalëngadalë nëntorit dhe ditës së madhe për të dy kandidatët, ata nuk mund të bëjnë ndryshe veçse të sulmojnë njëri-tjetrin. Në një fjalim një ditë më parë, Mekein nuk ka kursyer asnjë fjalë për ta portretizuar Obamën si një partizan të politikës, që vendos veten përpara vendit. Ekspertët besojnë se Mekein ka dhënë një mesazh të parakohshëm gjatë javës, duke thënë se themelet e ekonomisë janë të forta. Në deklarata të mëpasshme ai ka akuzuar Wall Street për problemin e ekonomisë në vend dhe ka sulmuar Barak Obamën.