E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tubim për vlerësimin e trurit shqiptar

20/03/2009  “Brain Stand” i FDE-së diskutohet me studentë dhe pedagogë të “Marubit”

TIRANË - Për disa orë me radhë FDE ka diskutuar me studentë dhe pedagogë të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” strategjinë “Brain Stand - qëndrimi, vlerësimi dhe lartësimi i trurit shqiptar”. Ky ishte debati i parë publik pas prezantimit të kësaj strategjie ditë më parë në një takim të zgjeruar me intelektualë në hotelin “Tirana Internacional”. Në panelin e debatit ishin drejtori ekzekutiv i FDE-së Arian Galdini, nëndrejtori i FDE-së, dr. Nebi Bardhoshi, prof. Afërdita Onuzi, studiuese e kulturës popullore, si dhe rektori i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, zoti Kujtim Çashku. Në fjalën e hapjes drejtori ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini, theksoi se “nëpërmjet debateve publike, takimeve me zyrtarë, politikanë, vendimmarrës, drejtues të institucioneve arsimore, drejtues të Akademisë së Shkencave, rektorë, dekanë, të universiteteve shqiptare, qofshin publike apo private, pedagogë, intelektualë dhe studentë do të kërkohet vendosja e parametrave të barazisë së kushteve, mundësive dhe shanseve për të gjithë. Kështu, pedagogët shqiptarë, universitetet shqiptare publike dhe private, studentët shqiptarë do të ndihen të respektuar, vlerësuar dhe lartësuar”. Me këtë iniciativë FDE-ja ka nisur t’i japë jetë dhe forcë hapjes së një debati të madh publik, i cili do të formatojë dhe përjetësojë politika, vendime dhe strategji të qëndrueshme afatgjata, të cilat u japin vlerë, nder, dinjitet, barazi dhe respekt universiteteve shqiptare, studentëve që studiojnë në to dhe mendimit shqiptar në përgjithësi. Iniciativa kulmon me marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ditën e shtunë, më datën 28 mars, ora 12:00, ku të gjithë së bashku do të japim mesazhin e madh të shpresës për krijimin e kushteve, marrjen e vendimeve dhe ndërtimin e strategjive, të cilat i japin vlerë mendimit shqiptar në përgjithësi. Më pas e mori fjalën Nebi Bardhoshi, i cili tha se “pak nga shqiptarët që shkojnë të studiojnë jashtë Shqipërisë kthehen për të kontribuuar këtu, pasi u mungon besimi, ndaj duhet të hartohet një strategji sa më efikase për arsimin”. Prof. Afërdita Onuzi deklaroi se “dua të kontribuoj për qëndrimin e trurit në Shqipëri, ndaj dhe mendoj se duhet të krijojmë kushtet që të rinjtë të studiojnë këtu”. Rektori i Akademisë së Filmit dhe Multimedies “Marubi”, zoti Kujtim Çashku, tha se “interesi publik është mbi gjithçka dhe me këtë filozofi janë pajisur studentët dhe pedagogët e Marubit”. Më pas është debatuar rreth “Brain Stand”-it, ku u përfshinë të gjithë: studentë, pedagogë e të ftuar të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›