E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dhe Topalli kërkojnë bashkërendim të diplomacisë Tiranë-Prishtinë

Presidenti Bamir Topi kërkon bashkërendimin mes diplomacisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës, për më shumë ndikim të faktorit ndërkombëtar në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, është i nevojshëm sinkronizimi i të gjithë elementëve diplomatikë mes dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë vlerësoi pikërisht dje Presidenti Topi gjatë takimit që zhvilloi në Pallatin e Brigadave me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni dhe delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Z. Topi vlerësoi maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare. Në këtë rast, ai përmendi veçanërisht emërimin e dhjetë ambasadorëve të rinj kosovarë dhe vuri në dukje nevojën e sinkronizimit të të gjithë elementëve diplomatikë mes dy vendeve tona. Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe përkrahjen e mbarë shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve të tij, që ia kanë lehtësuar shumë punën Kosovës në kapërcimin e sfidave, me të cilat i është dashur të përballet deri më tani si shtet i sapokrijuar.

Topalli

Në të njëjtën linjë vale me Presidentin ka qenë dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkërendojnë përpjekjet dhe veprimet në një kalendar të përbashkët pune për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës”, - deklaroi ajo në takimin me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni. Pasi ka falënderuar rolin e Topallit në lobingun për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ministri i Jashtëm kosovar ka qenë dakord me idenë se duhet të ketë bashkërendim të punëve mes dy vendeve. “Jam këtu, - tha zoti Hyseni, - për të kërkuar bashkëpunimin me shtetin shqiptar në bashkërendimin e përpjekjeve për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës, anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, si dhe aktiviteteve të mëtejshme diplomatike të shtetit të Kosovës”, - tha ai.

Berisha: Të përshpejtohet procesi i njohjes së Kosovës

Kryeministri Sali Berisha shpreh angazhimin e qeverisë dhe diplomacisë së Shqipërisë për të mbështetur të gjitha përpjekjet e qeverisë dhe diplomacisë së Kosovës, për të shpejtuar procesin e njohjes së pavarësisë. Nga ana e saj, diplomacia kosovare falënderon Tiranën zyrtare për kushtet lehtësuese që misionet diplomatike shqiptare i kanë krijuar diplomacisë së Kosovës në të gjithë botën. Kjo iu bë dje e ditur Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni. Të dyja palët vlerësuan si shumë të rëndësishëm vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen mes dy vendeve, në mënyrë që procesi të ecë sa më shpejt përpara. Z. Berisha vlerësoi punën që po bëhet për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila është njohur pothuajse nga e gjithë bota perëndimore.

Basha-Hyseni: Axhendë e përbashkët diplomatike

Prishtina dhe Tirana zyrtare do të punojnë edhe në vijimësi për procesin e njohjes së Kosovës shtet nga sa më shumë vende të botës. Këtë fakt e kanë garantuar dje ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp dje në Tiranë, ata deklaruan se diplomacia e dy vendeve do të vazhdojë të punojë për sfidën madhore - atë të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga sa më shumë vende. Hyseni tha se sfida parësore është shtimi i numrit të vendeve që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ndërsa Basha rikonfirmoi për këtë angazhimin e strukturave diplomatike shqiptare. Ky bashkëpunim do të japë frytet e para konkrete së shpejti në mbledhjen e Asamblesë së OKB-së. I pyetur nëse ka ndonjë platformë veprimi dhe bashkëveprimi mes dy qeverive për këtë çështje, ministri Basha tha se “sigurisht që kontaktet midis Prishtinës dhe Tiranës, janë kontakte të rregullta. Vizita e ministrit të Jashtëm të Kosovës vjen disa javë para Asamblesë së Përgjithshme dhe padyshim, një bashkërendim i axhendave tona ka qenë një nga çështjet kryesore që janë diskutuar”. Basha madje e quajti këtë bashkëpunim temë të përditshme, të përjavshme të komunikimit zyrtar dhe jozyrtar midis Prishtinës dhe Tiranës. Sipas tij, “ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe është një nga aspektet kryesore në funksion të njohjes së Kosovës nga një numër sa më i madh vendesh në një hark kohor sa më optimal”. Në këtë aspekt, ministri i Jashtëm tha se puna kryhet jo vetëm zyrtarisht, por dhe në rrugë jozyrtare.

Qeveria, pasaportë diplomatike për kreun e AKKP-së

Qeveria pajis me pasaportë diplomatike kreun e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Bëhet fjalë për drejtorin e ri të këtij institucioni, z. Tunxh Vatnikaj. Përmes projektvendimit të djeshëm të qeverisë propozohet që drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave t’i njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike. Kjo argumentohet për shkak të detyrës që ka, por edhe për analogji me drejtuesit e disa institucioneve të tjera shtetërore. Deri tani në përputhje me pikën 4 të vendimit nr. 335, datë 02.09.97, të KM, për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe shërbimi, të ndryshuar, drejtuesi i kësaj agjencie mbante pasaporta shërbimi, gjë që ka krijuar vështirësi në lëvizjet e tij. Në shtesën e mësipërme për pajisjen e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me synim lehtësimin e lëvizjes veçanërisht në vendet fqinje, propozohet shfuqizimi i pajisjes me pasaportë shërbimi. Në projektvendim bëhet e ditur se nisur nga rëndësia e këtij institucioni, por edhe për analogji me institucionet e tjera kushtetuese si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, duke e vlerësuar këtë titullar si përfaqësues të një subjekti vendimmarrës, propozoi pajisjen e tij me pasaportë diplomatike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›