Ndarja me korruptimin e votës
Kur u shpik skema e Dushkut për të krijuar shumica fiktive në Kuvend, në 2001, qeniet më të përdhunuara ngas trafiku politik i votave, mjerisht nuk ishin vetëm 10 mijë votuesit e fshatit myzeqar, që prodhoi 10 deputetë, apo aq përfaqësues sa ç'kishin nxjerrë nëntë rajone të vendit me gati gjysëm milionë banorë me të drejtë vote. Katër vite më vonë, në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, "Dushku i madh" ishte gangrenizimi i plotë i përfaqësimit të votës së zgjedhësve shqiptarë. Në Kuvendin e Shqipërisë u bënë parti elektorale, partiza që nuk kanë elektorat, u bënë deputetë, kriminelë të hurit dhe të litarit, që hodhën milionat për të blerë votat dhe kërcënuan me jetë ata që ishin kundër.
Se çfarë shpërfytyrimi i votës ishte "Dushku i madh" ia vlen të rikthehemi te tabela e rezultateve zyrtare për zgjedhjet e vitit 2005, hartuar nga zyra e OSBE/ODIHR-it në Tiranë, publikuar në raportin final të publikuar në 8 nëntor 2005. Partia Demokratike mori 104 796 vota, ose 7,67 për qind, dhe 56 mandate deputetësh; Partia Socialiste mori 121 412 vota, ose 8,89 për qind dhe 42 mandate deputetësh, dhe një koalicion i partizave fantazëm të mbështetura nga PD-ja, i quajtur ALDM mori 457 143 vota, ose 33,46 për qind dhe 18 mandate deputetësh.
Kur në 2 shtator 2005 presidenti Moisiu thirri seancën e parë të Kuvendit, PS-ja megjithëse kishte marrë votën popullore, ishte paradoksalisht opozita, përballë shumicës fiktive të krijuar prej 56 deputetëve të PD-së, 18 deputetëve të sajuar nga PDR, PDK, BLD, PR dhe LDLNJ, plus votave që iu bashkuan për karrige ministrash nga PAA dhe PBDNJ.
Ky perversitet politik, që mban në këmbë edhe sot Kuvendin, është një tallje e rëndë me votuesin shqiptar që e di shumë mirë se ata kryetarë partish të zvarritur pas kryetarit të PD-së, nuk i voton as familja e tyre e jo më të marrin votën e gjysëm milionë shqiptarëve.
Këtë e kanë ditur shumë mirë edhe vëzhguesit dhe donatorët e zgjedhjeve shqiptare të cilët, si në dy rastet e dy dushqeve, në raportet e tyre bënë thirrje për eliminimin e këtyre skemave që shtrembëronin votën e shtetasve shqiptarë. Paralajmërimi i fundit ishte më seriozi i bërë, sepse në raportin e nëntorit 2005 të OSBE/ODIHR-it thuhej tekstualisht: "Dispozitat e Kodit Zgjedhor që detajojnë sistemin zgjedhor nuk sigurojnë realizimin e objektivit kushtetues për të arritur një proporcionalitet "në raport sa më të afërt" midis votave të marra nga listat e partive dhe përbërjes së përgjithshme të Kuvendit. Ky sistem lejoi shumë pjesëmarrës në zgjedhje të përdornin strategji zgjedhore që sfiduan caqet e ligjit dhe venitën dallimet midis partive politike. Pas përvojës së zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2001, procesi zgjedhor i vitit 2005 konfirmon se sistemi zgjedhor aktual do të mbetet i hapur ndaj abuzimeve derisa të reformohet". Se sa serioze është bërë dosja e zgjedhjeve në Shqipëri, si i vetmi vend që ende nuk mban zgjedhje të lira, shihet edhe nga trajtimi që iu bë nga Parlamenti Europian, pas nënshkrimit të MSA mes BE dhe Shqipërisë, në 12 qershor 2006. Asokohe deputeti Hendrik Ilves, zëvendëskryetar i Komisionit të Jashtëm me BE-në dhe përfaqësues i KE-së për MSA-në me Shqipërinë kërkoi që të eliminohet një herë e mirë sistemi i Dushkut, përveç shumë reformave të tjera që duhej të ndërmerrte Shqipëria si administrata, ligji i Pronave, liria e shtypit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit apo krijimi i kulturës politike dhe evitimi i kulturës konfrontuese politike.
Duke bërë këtë historik të shkurtër të trafikimit të votës së shqiptarëve, është lehtësisht i kuptueshëm motivi që bëri luanë, minjtë e politikës në vend, ata që kanë brejtur papushim të mirat materiale të vendit, si banda plaçkitëse, nën heshtjen dhe mbikëqyrjen e "vëllait të madh". Një korrupsion që nuk mund të vazhdojë më, përballë respektit për votën e qytetarëve shqiptarë dhe angazhimit që Shqipëria ka marrë në rrugën për t'u afruar me familjen europiane, prej të cilës na ndan jo vetëm humnera e nivelit ekonomik, por edhe honi prej nga duhet nxjerrë liria e votës dhe shprehja e saj reale në Kuvend.