Siguria rrugore si ajo kombëtare
Siguria kombëtare në përgjithësi dhe ajo rrugore në veçanti lënë shumë për të dëshiruar. Jo rastësisht nga institucionet ndërkombëtare cilësohemi si vendi më problematik në Europë. Pa dashur të ndalem tek e para - (Gërdeci ishte shembulli më i qartë i mungesës së sigurisë kombëtare, ku Ligji i Emergjencave Civile ishte dhe mbetet vetëm në letër) - në këtë shkrim do të analizojë pjesën e dytë të sigurisë: atë që quhet siguri rrugore, e që çdo ditë po merr jetë njerëzish. Faji kryesor është i institucioneve, të cilat thuajse nuk funksionojnë.
Gjatë vitit 2005 u bënë 747 aksidente me pasojë vdekjen. Kjo shifër erdhi në rritje, ku për vitin 2006 vdiqën 1200 vetë dhe në vitin 2007 rreth 2000 njerëz. Këto shifra janë alarmante dhe askush nuk shqetësohet. Në një emision televiziv ministri Nishani tha se fajin e ka Sinjalistika(!). Më pas, me datë 28 Mars, dëgjova ministrin Olldashi që tha se do të privatizojë Kontrollin Teknik me koncesion, reformë e cila do të çojë në përmirësimin e teknologjisë së shërbimit.
Siguria në rrugë përbëhet nga tre komponentë: leje drejtimi e drejtuesve të automjeteve; kontrolli teknik i automjeteve; pikat e zeza (kthesa të forta, të dyfishta etj.)
Në komisione kandidatët kalohen pa asnjë lloj formimi dhe në disa raste pa qenë aplikanti prezent. Fakti që janë arrestuar disa njerëz për këtë çështje besoj se nuk ka nevojë për koment.
Kontrolli teknik i automjeteve lë për të dëshiruar (mjafton të paguash ryshfet dhe e "merr provimin" edhe pa frena). Kjo ka çuar në rritjen e aksidenteve në rrugë. DPSHTRR, në shkallë Republike, ka 14 qendra të Kontrollit Teknik, ku si rregull, në të gjitha postet e vendet e punës kërkohen inxhinierë mekanikë, të cilët përgjigjen profesionalisht për kontrollin e nivelit të gazrave, kontrollin e komoditetit, kontrollin e sistemit të transmetimit të lëvizjes, drejtimit, frenimit, ndriçimit etj. Në fakt, në këta sektorë punojnë njerëz (jo specialistë) pa arsim, pa formim profesional dhe të pa certifikuar. Këta njerëz militantë partiakë kanë qëllim në vetvete paranë por se sa njerëz vdesin në rrugë, nuk duan t'ia dinë.
- Pjesa e tretë e sigurisë rrugore, ajo e pikave të zeza thuajse është konstante për arsye se ritmet e ndryshimit në pikat e zeza janë mjaft të pakta, për shkak të investimeve të pakta në infrastrukturë.
Në këto kushte, kur elementet e sigurisë po përkeqësohen dhe treguesit janë në rritje, zoti Basha më parë dhe tani Z.Olldashi vendosën privatizimin e shërbimit dhe për rrjedhojë përligjjen e aksidenteve në rrugë. Së pari, amendimi i Kodit Rrugor ruan monopolin edhe pasi të jepet me koncesion ky shërbim, çka do të thotë që rreth 200.000 mijë automjete që i ofrohen këtij shërbimi janë të detyruar të drejtohen për këtë shërbim tek privati.
Mendimi im për këtë çështje është se ky shërbim është shumë shpejt të privatizohet për shkak të edukatës së shërbimit që drejtuesit kanë mbasi ato përsëri do të japin para për shërbimin edhe pa bërë kontroll. Së dyti, pse me koncesion dhe vetëm një njeri (dihet se kush mund ta marrë këtë shërbim) kur fare mirë mund të liberalizohet. Tashmë janë krijuar premisat që ky shërbim të bëhet fare mirë këtu tek koncesionarët, të cilët ofrojnë teknologji bashkëkohore.
Z.Ministër, të jeni i bindur se ajo teknologji që ka ajo ndërmarrje aktualisht është bashkëkohore dhe e standardeve të Bashkimit Europian, ajo është njëlloj si në Francë, Gjermani, Danimarkë, Suedi. Çfarë përmirësimi teknologjik do t'i bëhet më tej? Të keqadministrohet pasuria publike në mënyrën më të keqe për interesa meskine është e pafalshme. Të jeni i sigurt së nëse vendosni ta bëni atë "reformë", shërbimi do të përkeqësohet, numri i aksidenteve do të shtohet dhe në këtë rast, me sa duket, ato që do të humbasin janë sërish viktimat.
*Autori është ish - zv/Ministër i Transporteve