E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse këto marrëdhënie me Çekinë?

Para dy ditësh, vendin tonë e vizitoi kryeministri çek, Mirek Topolanek. Duhet thënë që është vizita e parë e një zyrtari kaq të lartë çek pas viteve´90 në vendin tonë dhe me të drejtë Kryeministri ynë e quajti historike. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Çekinë, në qoftë se lexohen, janë marrëdhënie përgjithësisht të mira por që kurrë nuk kanë njohur ndonjë përshpejtim apo përmirësim të tyre në zhvillime të tjera, por kanë mbetur vetëm në një traditë të ruajtur që nga koha kur të dy vendet ishin nën sisteme komuniste.

Këtë fakt e përmendi edhe Kryeministri çek, duke thënë që "Çekia i ktheu një borxh Shqipërisë, në lidhje me ftesën e NATO-s, që nga viti i largët 1968", kur kjo e fundit doli nga Traktati i Varshavës në shenjë proteste ndaj pushtimit të Çekosllovakisë së atëhershme. Pra, marrëdhëniet tona duket që kishin ngecur në vitin 1968 pa përmendur ndonjë shkëmbim në fushën e arsimit apo tregtare, e cila duhet çmuar, megjithatë është shumë pak po ta krahasojmë me vendet e tjera.

Po përse ndodh kjo? Përse marrëdhëniet tona me Çekinë të jenë kaq të vakëta?

Që janë të vakëta kjo as që diskutohet. Mjafton të përmend që vizita e kryeministrit Topolanek u përcoll si një vizitë rutinë, pa kurrfarë interesi mediatik, a thua se në Shqipëri kishte shkelur ndonjë nëpunës i rëndomtë i BE-së. Këtu nuk mund të ndaj se kush ndikoi më shumë në këtë, qeveria apo media, e cila nuk i dha rëndësinë e duhur.

Madje dukej që gazetarët ishin më të interesuar për të pyetur Berishën për "çështjen e Presidentit" sesa për vizitën e Topolanek dhe rezultatet e saj, a thua që ne ishim pa President, në mes të rrugës, dhe nuk gdhiheshim dot të nesërmen pa zgjidhur këtë çështje. Me këtë nuk dua të gjykoj median, pasi është në të drejtën e saj të përcjellë ato lajme që ajo cilëson si më të rëndësishme. Por nuk mund të hesht, teksa iu hodha një sy edicioneve informative dhe gazetave dhe mbi këtë vizitë ishte shkruar shumë pak ose diku edhe aspak. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga shumë analistë të cilët nuk lënë rast pa shkruar e pa u marrë, siç ndodhi edhe ditët e fundit me një të marrë si Bollano duke i dhënë rëndësi kombëtare.

Po përse kështu? Unë mendoj që kjo më së shumti ka të bëjë me mosnjohjen e realitetit dhe të gjendjes në tërësi. Ka të bëjë më së shumti me turrjen tonë pas politikanëve lokalë, mendjengushtë, dogmatikë, të cilët bëjnë lajm duke rrahur ndonjë arbitër, apo duke sharë e shfryrë. Ka të bëjë më së shumti me faktin që media turret të bëjë lajm tek një zëdhënës/e buzëqumësht apo shalëjashtë në performancën e radhës, për të dukur sa më shumë në TV. Eh, kështu që, për një vizitë të tillë shumë të rëndësishme s'mund të kishte vend as në edicionet informative dhe as në gazetat e vendit. Kjo është një shprehje e qartë e asaj se në vendin tonë, të shohësh nga ekonomia dhe për ekonominë është jo shumë tërheqëse, gjithkund dhe gjithçka bëhet me një politizim gati-gati banal.

Po të bëj pak histori duhet thënë që Çekia është një vend anëtar i BE-së i cili ka një të shkuar të ngjashme me tonën, nga e cila diçka mund të mësojmë. Çekia është një vend i industrializuar me mjaft peshë në industrinë energjitike. Është një vend eksportues i energjisë elektrike. Por jo vetëm kjo. Çekia është një vend me shumë tradita në fushën e arsimit. Universiteti i Karlit është universiteti më i vjetër në Evropën Qendrore i ndërtuar në shek.XIV. Një fakt tjetër domethënës është turizmi. Duhet thënë që çdo vit, rreth 2 milionë çekë kalojnë pushimet në Kroaci, pa përmendur shtetet e tjera. Ky është një potencial shumë i madh, nga i cili çdo vend do të donte të përfitonte.

Numri i atyre që vizitojnë Shqipërinë është i pakët, për shume arsye. Ndër kryesoret janë mungesa e informacionit për turizmin në vend, mungesa e kushteve të udhëtimit, ku deri sot nuk ekziston asnjë linje ajrore me Pragën, çka është e pashpjegueshme. Të mendosh që kemi lidhje ajrore me shumë qytete të tjera më pak ekonomike. Sot, mjaft agjenci udhëtimi shqiptare janë kthyer në eksportuese të turistëve vendas, ndërkohë që nuk bëjnë asgjë për të thithur turistët e huaj të cilët kanë kureshtje për vendin tonë. Nuk e di se cilat janë marrëveshjet e firmosura nga qeveria jonë, se u tha që janë tregtare, por vetëm kaq e asgjë më tepër. Do të ishte në të mirë të vendit dhe ekonomisë sonë që të shiheshin më me prioritet këto marrëdhënie me Çekinë e jo vetëm të përfitojmë MSA-në, çka është një arritje shumë dritëshkurtër. Hapja e një derë për investimet çeke bëhet jo vetëm duke pritur që dikush të trokasë në derën tonë, por edhe duke bërë një sforco që do të ishte shumë e dobishme për ekonominë e vendit tonë.

Nga ana tjetër Çekia është një ndër vendet e BE-së që ka abstenuar deri më tani në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por arsyeja e vërtetë e kësaj vonese në njohje janë marrëdhëniet tregtare që ka ajo me Serbinë. Çekia, përkatësisht CEZ (Korporata Energjitike Çeke) ka investuar shumë në energjitikën dhe industrinë serbe duke e parë atë si një treg mjaft të favorshëm. Por nga ana tjetër, Kryeministri liberal Topolanek i cili është një politikan pro-amerikan dhe sidomos ministri i Jashtëm, Shwarzenberg, janë ndër mbështetësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës. Kundër janë shprehur opozita e majtë çeke dhe ndonjë parti e koalicionit qeverisës. Duhet të shtoj se koalicioni qeverisës është mjaft i brishtë. Si përfundim, mendoj e besoj që tani e tutje t'u hapet një rrugë e re investimeve çeke në Shqipëri, e marrëdhënieve midis dy vendeve në fusha prioritare dhe jo të bëhet sikundër personalisht presidenti i një kompanie çeke, që kish marrë pjesë në një takim me zyrtarë të lartë tanët për përmirësimin e teknologjisë së TEC-it Fier, i kishin kërkuar para. Atëherë, ai merr avionin duke lënë pas vendin tonë, ku me dhimbje me tha që "ju qeveriseni nga hajdutë".

*Autori është inxhinier / Student në Doktoraturë, Universiteti Teknik Çek (CVUT), Pragë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›