E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyn për të evituar vjedhjen, pranga nënoficerit për plagosje

Kryen detyrën e tij, por përfundon në pranga për plagosjen e grabitësit. Kjo është historia e 24-vjeçarit Albin Hoxha, me detyrë nënoficer pranë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili është vënë në pranga dy ditë më parë pasi akuzohet se në tentativë për të shpëtuar një lokal që po vidhej nga katër hajdutë, ka plagosur në mënyrë të pavullnetshme njërin prej tyre, Hysen Kanushin, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë. Mbi Hoxhën rëndon akuza e “plagosjes së rëndë në kalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
Ngjarja
Më datë 3 janar, rreth orës 05:20, në rrugën “Sitki Çiço”, katër persona kanë tentuar të vjedhin një lokal. Sapo ka parë këtë skenë, Albin Hoxha është afruar pranë grabitësve për t’i ndaluar ata. Në këtë moment, tre nga grabitësit janë larguar nga vendngjarja, ndërsa Kanushi është kapur nga ana e nënoficerit të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas Policisë së kryeqyteti mësohet se në momentin e konfrontimit midis dy personave, arma e Hoxhës ka kryer qitje të pavullnetshme duke plagosur rëndë 32-vjeçarin Kanushi. Nga burime pranë uniformave blu bëhet e ditur se Hoxha, duke pasur funksionin e nënoficerit, ka ndërhyrë menjëherë sapo ka parë skenën e grabitjes duke u munduar të ndalojë autorët dhe të shmangë grabitjen. Por në këto momente ai është pikasur nga katër grabitësit, ku tre prej tyre janë larguar, ndërsa vetëm 32-vjeçari nga Tepelena është ndaluar nga nënoficeri. Policia e Tiranës është duke punuar për identifikimin e tre personave të tjerë që ishin bashkë me Kanushin, të cilët akuzohen për veprën e “vjedhjes mbetur në tentativë”.
Hetimet
Grupi i hetimit ka arritur të sekuestrojë në vendngjarje, në cilësinë e provave, pistoletën tip “Beretë”, në emër të Albin Hoxhës, nga e cila është kryer dhe qitja që plagosi Hysen Kanushin. Pas hetimeve të kryera, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vazhdojë më tej hetimet lidhur me dy të arrestuarit, ku mbi Hysen Kanushin rëndon akuza e vjedhjes e mbetur në tentativë, ndërsa mbi nënoficerin Hoxha akuza e “plagosjes së rëndë në kalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Tashmë pritet që në dy ditën në vazhdim, dy të arrestuarit të paraqiten përpara Gjykatës së Tiranës, ku do të njihen dhe me masën e sigurisë, ku ndër të tjera pritet dhe versioni i nënoficerit Hoxha lidhur me ngjarjen.

Qëlloi tre të rinj në makinë, pranga autorit

TIRANË - Një 24-vjeçar është arrestuar dje nga policia pasi akuzohet se ka qëlluar me armë në drejtim të një mjeti me të cilin po udhëtonin tre të rinj. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur Ernest Doda, 24 vjeç, dyshohet se në rrugën Kamzë-Laknas, te kryqëzimi me Valiasin, ka zbrazur automatikun në drejtim të automjetit tip “Opel”, me targa TR 5624 J. Sipas policisë, mjeti drejtohej nga Mariglen Lleshi, 23 vjeç, ndërsa ndodheshin si pasagjerë vëllai i tij, Paulin Lleshi, 20 vjeç dhe Artur Prendi, 22 vjeç. Mësohet se nga të shtënat me armë zjarri ka pasur vetëm dëmtime të mjetit. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprat penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Uniformat blu të kryeqytetit ende nuk bëjnë të ditur shkaqet që shtynë Dodën të qëllonte me armë në drejtim të tre të rinjve.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›