E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentoi të vriste 24-vjeçarin, arrestohet në traget Elson Shehi

Arrestohet në mes të detit pasi tentoi të vriste një 24-vjeçar dy ditë më parë në kryeqytet. Bëhet fjalë për Elson Shehin, i cili ka tentuar të vrasë 24-vjeçarin Denis Redhaj. Ngjarja ndodhi në rrugën “Irfan Tomini”, pranë një lokali në Tiranë, kur Elson Shehi, 19 vjeç, ka tentuar të vrasë me pistoletë 24-vjeçarin Denis Redhaj. Policia e sinjalizuar për ngjarjen nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin. Burime nga policia thanë se vetëm pak orë më pas u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të plagosjes, i cili, sipas informacioneve ishte nisur drejt Italisë me traget nga Porti i Durrësit. Nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin u bë verifikimi i menjëhershëm dhe 19-vjeçari rezultoi se ndodhej në tragetin “Riviera Adriatika” të linjës Durrës-Bari, i cili sapo ishte nisur. Policia njoftoi Kapitenerinë e Portit të Durrësit, e cila bëri kthimin pas të tragetit dhe njëkohësisht një mjet i Policisë Kufitare doli për shoqërimin e tragetit deri në ankorimin e tij në Portin e Durrësit. I plagosuri Denis Redhaj ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në trajtimin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
Denoncon burrin, dhunë psikologjike prej 5 vitesh
KRUJË - Një 43-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj pasi e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht prej 5 vitesh. Sh. M., nënë e dy fëmijëve, është paraqitur ditën e djeshme në ambientet e Komisariatit të Policisë së Krujës ku ka pretenduar se është dhunuar në mënyrë sistematike që prej 5 vitesh, fizikisht e psikologjikisht së bashku me dy vajzat e saj nga bashkëshorti i saj, U. M. 40 vjeç. Fill pas kallëzimit policia plotësoi kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, ndërsa materialet iu dërguan për ndjekje Gjykatës së Rrethit Krujë.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›