Sarandë, nxënësit "e valiumit" shlyejnë gabimin me punë vullnetare
Nga dëshirë është kthyer në mundësi reale, përfshirja e nxënësve të klasës së dytë B të shkollës jopublike "Dea" në Sarandë, në kryerjen e punëve vullnetare në komunitet. Me vullnetin e tyre të lirë, klasa që tashmë njihet si "klasa e valiumit", ka shkuar mesditën e djeshme në Bashkinë e Sarandës, për të marrë konkretisht përsipër punën që duhet të kryejnë në komunitet. Në fillim të prillit, 21 nxënësit kishin kontaktuar me kreun e bashkisë së qytetit bregdetar, Edmond Gjoka, të cilit i kishin kërkuar të kontribuonin vullnetarisht një muaj pas mësimit në pastrimin e qytetit, në mbjelljen e fidanëve të rinj të pemëve, apo në lyerjen me gëlqere të atyre që janë mbjellë. Në këtë mënyrë ata do të mund "të ndreqnin" shakanë e 1 prillit dhe do të shlyenin dënimin e dhënë nga stafi akademik i shkollës dhe prindërit e tyre. Kryebashkiaku ka mirëpritur kërkesën e tyre dhe dje ka qenë dita e parë "e punës" së nxënësve. Atyre u është lënë në "kujdestari" kryerja e shërbimeve për pemët që ndodhen përgjatë trotuareve të qytetit. Pasi kanë marrë mjetet e punës, kanë nisur nga puna për lyerjen me gëlqere të pemëve të trotuareve nëpër qytetin e Sarandës. Kjo ka qenë vetëm dita e parë e punës së tyre vullnetare, pasi çdo ditë pas mësimit, për gati një muaj, ata do të kontribuojnë për pastrimin e qytetit të tyre dhe mbledhjen e lyerjen e pemëve dekorative. Ky është "dënimi" që u dha për shakanë e ditës së gënjeshtrave, 1 prill. Mëngjesin e asaj dite, të 20 nxënësit që ishin të pranishëm atë ditë në klasë, kanë pirë nga një kokërr "Diazepam" për të "trembur" mësuesit e tyre. Por shakaja e tyre mori trajta serioze. Është dashur ndërhyrja mjekësore: serume dhe marrje e oksigjenit për "t‘i zgjuar" nga gjumi.