Ndërhyrje në 1283 shtëpi dhe mbi 2300 subjekte
08/02/2010 Shkodër, verifikimet e dëmeve në zonat e përmbytura
SHKODER- Grupet e punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut e përmbytjet në qarkun e Shkodrës po vijojnë punën në qytetin e Shkodrës si dhe komunat Dajç, Bushat, Bërdicë, Velipojë, Guri i Zi, Ana Malit, Rrethina, Qendër e Koplik. Pas verifikimeve të deritanishme, Këshilli i Qarkut të Shkodrës ka grumbulluar të dhënat për të gjithë sektorët ku janë konstatuar dëmet. Konkretisht, ky këshill qarku bën të ditur se deri tani grupet e punës kanë verifikuar 1283 objekte banimi, që janë pjesë e sektorit të ndërtimit. Për sa i përket sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë, të dhënat e deritanishme të grumbulluara nga Këshilli i Qarkut të Shkodrës, flasin për verifikimin e 1692 subjekteve bujqësore dhe 1605 subjekteve blegtorale. Grupet e punës kanë vijuar pa ndërprerje punën e tyre, pavarësisht kushteve atmosferike të kohës. Aktualisht verifikimi i dëmeve në terren ka hyrë në fazën përmbyllëse dhe specialistët e grupeve të punës dhe të Këshillit të Qarkut Shkodër po punojnë edhe për plotësimin e formularëve me vlerat përkatëse të sendeve të dëmtuara. Të dhënat e marra në terren po analizohen dhe regjistrohen nga grupet e dixhitalizimit. Dy ditë me radhë grupet e punës për verifikimin e dëmeve kanë vazhduar punën në terren dhe njëkohësisht disa grupe kanë plotësuar dokumentacionin e vlerësimit.