Zbardhet vendimi i qeverisë, sa do të jenë bursat për nxënësit dhe studentët
Jonida Tashi
Zbardhet vendimi i qeverisë se sa do të jenë bursat për nxënësit dhe studentët gjatë vitit 200-2009. Niveli i bursës për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të jetë 6 mijë lek në muaj, ndërsa gjysmëburra 3 mijë lekë. Kurse nxënësit që mësojnë në shkollat e Mjeshtërisë Sportive dhe nxënësit e arsimit special do të përfitojnë një bursë të plotë në masën 6500 lekë në muaj dhe një gjysmëburrë në masën 3750. Nxënësit jetim të shkollave bazë dhe të mesme do të marrin vetëm bursë të plotë në që është 6500 lekë në muaj. Bursat e miratuara nga qeveria për studentët do të jenë më të larta se ato të arsimit parauniversitar. Kështu bursa e plotë për studentët e universiteteve, Akademisë së Arteve dhe shkollat e tjera të larta do të jetë 8500, kurse bursa e pjesshme sa gjysma e bursës së plotë. Studentët e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve do të marrin bursa më të larta për vitin e ri akademik. Bursa e plotë për këta studentë do të jetë 9 mijë lekë në muaj, kurse gjysmëburra 4500.
Numri
Vetëm 190 nxënës dhe 1600 studentë do të përfitojnë bursë vitin e ri arsimor. Qeveria, para pak ditësh ka përcaktuar kategoritë që do të marrin ndihmë nga shteti vitin shkollor 2008-2009. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2008. Në raste të veçanta, kur këshilli i bashkisë apo i komunës nuk mund ta miratojë, brenda këtij afati, numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti. Nxënësit, që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët, që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit nëse plotësojnë disa kritere. Kriteri ekonomik si dhe rezultatet e larta në shkollë janë dy kushtet kryesore për të përfituar bursë. Por nga përfitimi i bursës nuk përjashtohen nxënësit ose studentët që kanë fituar statusin e jetimit.
Nxënësit
Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe komunës, sipas vendndodhjes, territoriale e administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat për nxënësit, të cilët studiojnë në shkollat profesionale, në degët parësore për zhvillimin e ekonomisë, si në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të, planifikohen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit. Numri total i bursave, të planifikuara për nxënësit, që përfitojnë, për vitin shkollor 2008-2009, është 190, brenda planit të bursave të miratuara po për këtë vit. DAR-ja/ZA-ja janë të detyruara t’i dërgojnë informacion për numrin e nxënësve, që përfitojnë bursën, sipas këtij kriteri, Ministrisë së Arsimit.
Studentët
Bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave, të përcaktuar sipas këtij vendimi. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas ligjit, është deri në 130, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2008-2009. Institucionet e arsimit të lartë paraqesin, në Ministrinë e Arsimit, kërkesat për studentët, që përfitojnë bursë. Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes, të cilin i’a dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë. Studentët, që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Nga plani i bursave, të miratuara për vitin shkollor 2008-2009, bashkisë së Tiranës i jepen 15 (pesëmbëdhjetë) bursa të larta, për studentët, që vijnë nga familjet/shtresat sociale në nevojë, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, duke i përjashtuar nga kriteri, që të vazhdojnë studimet jashtë vendbanimit të tyre.
Plani
Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes së bursave, për Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrat Arsimore (ZA), për vitet e para, sipas kuotave të miratuara (për nxënës/studentë). DAR-ja/ZA-ja, pas këshillimit me strukturat e pushtetit vendor, bëjnë planin e shpërndarjes së bursave në bashki dhe komuna, në përputhje me kërkesat e paraqitura, paraprakisht, prej tyre për kategoritë që përcakton ligji. Bashkitë dhe komunat, bazuar në planin e përcaktuar për to, nga DAR-ja/ZA-ja, vendosin me këshillat e tyre për dhënien e bursave, sipas kritereve ekonomike, të përcaktuara në këtë vendim, duke u dhënë përparësi nxënësve/studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë ose, në pamundësi, trajtimin me gjysmë burse. Bashkitë dhe komunat, detyrimisht, u dërgojnë, në rrugë zyrtare, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore u dërgojnë institucioneve të arsimit të lartë, bashkive dhe komunave, që menaxhojnë konviktet, listën emërore të nxënësve/ studentëve, që do të trajtohen me bursë, së bashku me vendimet origjinale të këshillave bashkiake apo të komunave. Një kopje e kësaj liste dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit.
Bursat
Sipas kriterit ekonomik
Përfitojnë bursë sipas kriterit ekonomik nxënësit dhe studentët e mëposhtëm:
Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km, dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas ligjit
Nxënësit, që banojnë në fshat, pa shkollë 9-vjeçare, brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik
Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik
Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate, të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik
Secili nga studentët bashkëshort, me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik e që vendoset në konvikt publik
Fëmija, nxënës apo student, që ka statusin e invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe që plotëson kriterin ekonomik
Sipas rezultateve të arritura
Bursë sipas rezultateve të arritura përfitojnë:
Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës, me të gjitha notat 10-ta
Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme, me Medalje Ari.
Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore. Për vitin 2008 janë, gjithsej, 30 (tridhjetë). Kjo kategori studentësh përfiton bursë vetëm për vitin shkollor 2008-2009
Studentët, që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me të gjitha notat 10-ta
Studentët, që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të
Jashtë kriterit ekonomik
Jashtë këtij kriteri përfitojnë bursë nxënësit ose studentët që janë fëmijë i punonjësit të policisë, që ka humbur jetën në krye e për shkak të detyrës. Në fillim të çdo viti akademik, Ministria e Brendshme dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës listën për këtë kategori.
Sipas degëve përparësore
Përfitojnë bursë sipas degëve përparësore për zhvillimin e ekonomisë nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të
Kur nuk përfitohet bursa
Nxënësit dhe studentët nuk e përfitojnë ose/dhe e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur:
Janë ndarë nga trungu familjar
Familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private
Vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi
Shpallen mbetës dhe humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese
Kushtet ekonomike të nxënësit dhe studentit për dhënien e bursës
Përbërja familjare Bursa Gjysmëbursa Me pagesë
Për familjet me 2 persona Deri 3200 lekë 3200-4600 Mbi 4600
Për familjet me 3 persona Deri 3100 lekë 3100-4500 Mbi 4500
Për familjet me 4 persona Deri 3000 lekë 3000-4400 Mbi 4400
Për familjet me 5 persona Deri 2900 lekë 2900-4300 Mbi 4300
Për familjet me 6 persona Deri 2800 lekë 2800-4200 Mbi 4200
Për familjet me 7 persona Deri 2700 lekë 2700-4100 Mbi 4100
Për familjet me 8 persona Deri 2600 lekë 2600-4000 Mbi 4000
Shënim: Nxënësit dhe studentët nga fshati përfitojnë bursë, kur familja përfiton ndihmë ekonomike, në varësi të masës së kësaj ndihme, brenda planit të akorduar për secilën njësi të pushtetit vendor.
Niveli i bursës për nxënësit
Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme
Bursa 6000
Gjysmëburra 3000
Shkolla e Mjeshtërisë Sportive dhe nxënësit e arsimit special
Bursa 6500
Gjysmëburra 3750
Nxënësit jetim
Bursa 6500
Niveli i bursës për studentët
Universitetet, Akademia e Arteve dhe shkollat e tjera të larta
Bursa 8500
Gjysmëburra 4250
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve
Bursa 9000
Gjysmëburra 4500
24 Shtator 2008