E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërmarrjet me spin-off special rrezikojnë ritenderimin

Katër ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special, nuk u ka mbetur as një muaj kohë për t’i përmbushur zotimet e tyre, në të kundërtën zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) paralajmërojnë se në rast të mosplotësimit të obligimeve këto ndërmarrje do të dalin sërish në tenderim.

Ndërmarrjet me spin-off special dhe që rrezikohen nga ri-tenderimi janë hotel “Grand”, IDG “Tabako” Gjilan, Miniera dhe Industria e Magnezitit-Golesh, dhe Miniera dhe Industria e Magnezitit-Strezovc. Afati i fundit për këto ndërmarrje është fundi i muajit maj.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka thënë për Kosovapress se Bordi i drejtorëve kohë më parë katër ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special dhe iu ka dhënë afat prej 90 ditësh për ofruar dëshmi se do të përmbushen obligimet e marra nga kontrata e nënshkruar me ta.

Sipas tij në të kundërtën pas këtij afati bordi vendos për ekzekutimin e vendimit për tërheqjen e aksioneve.

Për sa i përket problemit që është shfaqur në rastin e hotelit “Grand”, ku tre aksionarët janë në proces gjyqësor, Kaloshi ka thënë se kjo çështje i përket aksionarëve dhe jo AKP-së.

Sipas disa burimeve brenda AKP-së, ndërmarrja IDG “Tabako” nga Gjilani nuk do të mund t’i ikë ri-tenderimit. Kaloshi thekson se këto ndërmarrje vazhdojnë të jenë në shkelje të rënda të marrëveshjes së investimeve.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), njëherësh anëtar i Bordit në AKP ka thënë për Kosovapress se në qoftë se edhe pas këtyre 90 ditëve nuk përmbushin zotimet atëherë këto ndërmarrje do ta kenë të njëjtin fat sikurse “Llamkosi”.

Dy nga katër ndërmarrjet XIM Strezoc dhe MIM Golesh kanë bërë kërkesë për aprovimin e kredisë hipotekare për financimin e investimeve, dhe kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Bordi i Drejtorëve. (Kosovapress)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›