E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohen heronjtë

Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 02 mars 2011 në ora 16:12

Të premten dhe të shtunën në Prishtinë do të mbahet turneu tradicional i futsallit ‘Jetojmë me lavdinë tuaj’, për nder të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Përveç përfaqësueses së Kosovës në futsall, në këtë turne do të marrë pjesë edhe Kombëtarja e Shqipërisë, ekipi nga Çekia, Banego, ekipi tetovar SEU, i kombinuar edhe me lojtarë të tjerë shqiptarë nga Maqedonia.

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Ramadan Cimili publikoi listën me emrat e dymbëdhjetë lojtarëve që do t’i mbrojnë ngjyrat e Kosovës në këtë turne. Ata janë: Sunaj Keqi, Suad Keqi, Lum Dumoshi, Ramadan Alaj, Azem Ibrahimi, Alban Zeka, Valon Kasapi, Mentor Mejzini, Hysni Muzlija, Artan Lama dhe Negjip Selimi.

Cimili shpreson të ketë sukses në debutimin e tij si selektor i reprezentacionit kosovar, derisa shprehu brengën e tij me faktin se akoma nuk iu kanë ofruar kushte të nevojshme për ta mbajtur ndonjë grumbullim me lojtarët e tij.

Hapja solemne e turneut bëhet të premten në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, në ora 17:30, dhe më pas zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe përzgjedhjes shqiptare nga Maqedonia. Menjëherë pas këtij takimi, zhvillohet ndeshja e dytë gjysmëfinale ndërmjet Kombëtares shqiptare dhe Benagos.

Humbësit e këtyre dy dueleve do të përballen mes veti të shtunën për vendin e tretë, nga ora 15:30, ndërsa takimi final zhvillohet të njëjtën ditë prej orës 17:15.

Ky turne organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit dhe Komunën e Skenderajt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›