Ndërroi jetë futbollisti Fisnik Muharremi

Fisnik Muharremi nuk ia doli dot. Futbollisti mitrovicas ka ndërruar jetë sot, pas një lufte që përfundoi pa sukses me kancerin në mushkëri. 26 vjeçari më parë ishte operuar në Prishtinë, por pa sukses, ndërkohë që mjekët kosovarë i kishin preferuar trajtim jashtë vendit.
Ai më pas u transferua në Gjermani, ku pati disa operime, por nuk ia doli mbanë. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar në dy muajt e fundit, ndërsa ish futbollisti i Trepçës ’89 ndërroi jetë sot në mëngjes. Iniciativa të shumta ishin organizuar këtë vit në Kosovë për të grumbulluar sa më shumë mjete për ta shpëtuar jetën e Muharremit, por në fund ai e humbi betejën me sëmundjen e rëndë.
Trupi i pajetë do të transportohet këto ditë në Kosovë, derisa varrimi i tij do të bëhet në vendlindjen e tij, në Mitrovicë. Sporti mitrovicas, por edhe kosovar në përgjithësi, është në zi për humbjen e një sportisti të tillë siç ishte Fisniku. Redaksia e Sportit në Express i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit.