Ndërron jetë Mike Bongiorno
Televizioni italian humbet një prej themeluesve të tij më të njohur: Mike Bongiorno. Prezantuesi tepër popullor ndërroi jetë gjatë pushimeve në Montekarlo. Lajmi është bërë i ditur nga Sky, televizioni për të cilin Bongiorno do të drejtonte një telekuiz të ri, pasi kishte braktisur grupin "Mediaset", ku prej kohësh kishte qenë një prej figurave kryesore. Bongiorno ishte 85 vjeç. Ai pësoi një goditje infarkti në hotelin ku ishte me pushime së bashku me të shoqen, Danielën. Sapo u bë i ditur lajmi, një turmë njerëzish të mallëngjyer nisën të mblidheshin para banesës së tij në Milano. Mike Bongiorno është cilësuar babai i televizionit italian, sepse ka qenë pikërisht ai që ka prezantuar të parin emision në valët e Televizionit Shtetëror Italian (RAI), "Arrivi e partenze".