Ngrohje për Teatrin e Operës
Ky sezon dimëror do ta gjejë me sistem ngrohjeje Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një fond prej 15 milionë lekësh të reja është dhënë nga qeveria për krijimin e kushteve normale të ambienteve publike: sallës dhe skenës. Ata që ndjekin sezonin artistik të këtij institucioni, e kuptojnë edhe më shumë rëndësinë e lajmit. Gjatë këtyre viteve duhet t‘u ketë qëlluar shumë herë që gjatë muajve të ftohtë të dimrit, të ulen në karriget e këtij institucioni me mendimin e pandryshueshëm se përveçse performancës, do të kalojnë edhe disa orë të ftohta. Mungesa e një sistemi kondicionimi ka qenë një problem i vazhdueshëm për Teatrin e Operës, aty ku pretendohet të bëhet art elitar. Në fakt kushtet fizike janë shumë larg këtij termi. Vet drejtori Zhani Ciko pranon se ka ende shumë ndërhyrje për t‘u bërë në këtë godinë qendrore, duke folur për një studim të përgjithshëm për rikonstruksionin brenda dhe jashtë të Operës. "Është një projekt që ia kemi paraqitur me kohë qeverisë. Në parim ka marrë miratimin dhe tashmë bëhet fjalë për çështje prioritetesh deri sa të kalohet në këtë master-projekt të rikonstruksionit. Ndërsa me një grand që na u akordua sivjet, do të ketë kushte krejt të tjera për sa i përket ngrohjes dhe freskimit të ajrit në sallën e madhe dhe skenën e shfaqjeve", shprehet Ciko. Duke theksuar se ka pasur disa zvarritje si pasojë e pushimeve të firmave prodhuese, e duke garantuar se pajisjet do të jenë të teknologjisë moderne, drejtori thotë se zbatimi i projektit pritet të realizohet në fund të tetorit. Kështu, publiku që do të ndjekë shfaqje operistike, të baletit apo edhe koncerte private që huazojnë skenën e Operës, do të ketë kushtet minimale, të ndjekë shfaqjet pa iu dashur të shtrëngojë fort pallton që ka hedhur krahëve. E njëjta gjë vlen edhe për artistët. Sidomos artistet, që rolet u imponojnë të dalin me fustane dekolte dhe shumë të holla edhe në kohët më të ftohta. Kjo mungesë nuk kalonte pa u vënë re as nga të ftuarit: regjisorë, dirigjentë, instrumentistë apo këngëtarë të huaj që afroheshin për produksione të caktuara në Opera. Ndërkohë që jemi në prag të fillimit të sezonit të ri artistik, (hapet më 1 tetor me stinën e koncerteve) drejtori Ciko garanton se këto ndërhyrje s‘do të ndikojnë aspak në kalendarin e shfaqjeve. "Kjo nuk do ndikojë në fillimin e sezonit, sepse ndërhyrjet do jenë të paidentifikueshme për publikun dhe nuk do të ndikojnë në mbylljen e teatrit", thekson drejtori. Ndërkohë, sipas projektit të rikonstruksionit të përgjithshëm, në një fazë të mëvonshme pritet të ketë ndërhyrje për të përmirësuar edhe kushtet akustike të sallës. "Ne po përpiqemi të shohim edhe ambientet rreth e përqark skenës, të cilat janë përkeqësuar nga niveli i xhamave që janë përdorur në ndërtimin bazë. Të gjitha këto projekte nuk cenojnë investimin bazë që është bërë në këtë teatër dhe ndaj është dashur që të hapen arkivat, të shikohen nga ana e konstruksionit duke iu përshtatur kushteve të reja. Gjatë këtyre katër vjetëve, edhe pse ndoshta nuk janë të dukshme, ne kemi punuar për kushtet e aklimatizimit të të gjitha studiove të artistëve të Operës", shkon më tej Ciko. Situata të tilla, të trashëguara ndër vite, nuk janë një problem vetëm i Teatrit të Operës. Të njëjtin problem hasim në Teatrin Kombëtar, në Galerinë e Arteve apo edhe në Muzeun Kombëtar. Prej kohës së ndërtimit, në këto godina nuk është parashikuar sistemi i kondicionimit, që tashmë është një nga kushtet minimale të funksionimit të një institucioni kulturor. Vazhdimisht është kërkuar investimi në këtë drejtim, por shpeshherë mungesa e fondeve, herë të tjera projekte që janë hartuar pa u vënë në zbatim, sjell ende diskutime në këto nivele.