E Shtunë, 31 Tetor 2026

OST: Kombinati dhe Selita, sot shtatë orë pa drita

Zonat industriale të kryeqytetit, ku shtrihet numri më i madh i bizneseve, do të preken nga mungesa e furnizimit me energji elektrike. Njoftimin e bëri dje publik Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), duke paralajmëruar se ndërprerja e energjisë elektrike do të zgjasë rreth shtatë orë. Shkak i kufizimit të dritave do të jetë ndërhyrja që OST do të bëjë gjatë ditës së sotme në nënstacionin e Sharrës. "Nga ora 08:30-15:30, do të ketë kufizime të energjisë elektrike në zonën e Kombinatit dhe të Selitës", deklaroi kompania e Transmetimit. Nisur nga prezenca e lartë e banorëve dhe bizneseve në këto zona, OST kërkoi mirëkuptimin për shqetësimet që mund të krijohen gjatë orëve të punimeve. Remontet te nënstacionet kryesore të vendit janë standard pune, si për OST-në, ashtu dhe për OSSH-në. Ndryshimi i stinës që shoqërohet me uljen e temperaturave kërkon përforcimin e rrjetit, pasi parashikohet rritja e konsumit të energjisë elektrike. Megjithatë, situata e furnizimit me drita ka ndryshuar për mirë që prej një viti, falë mirëmenaxhimit të burimeve ujore në hidrocentrale. Për herë të parë vendi po eksporton energji, madje duke garantuar miliona euro fitime, ndërsa importi ka rënë ndjeshëm. Ajo çka po vuan konsumatori shqiptar lidhet me rrjetin elektrik të dobët dhe të amortizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›