E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neni tatimor për falimentin, i pakuptimtë

Një deklaratë e papritur e tatimorëve se ka kërkuar shpalljen si të falimentuara për disa dhjetëra kompanive të rëndësishme në Shqipëri, vijon t‘i habisë ekspertët. Sotiraq Dhamo, një nga ekspertët më të njohur në fushën e kontabilitetit dhe pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, thotë se ligji i procedurave tatimore është abuziv në pjesën kur flet për falimentin e bizneseve.
"Për sa kohë nuk ka debitor, nuk mund të ketë faliment", tha Dhamo i intervistuar nga "Top Channel".
Ligji, i miratuar vitin e kaluar, detyron tatimet që të nisin automatikisht procedurën e falimentimit për çdo biznes që del me humbje të kapitalit të vet për tre vite rresht, pavarësisht shkaqeve të humbjeve që në shumë raste mund të jenë plotësisht të justifikuara.
"Është normale që të dilet me humbje për shkak të investimeve të kryera", thotë eksperti Dhamo. Procesi i falimentimit në Shqipëri, veç ligjit të procedurave, rregullohet edhe nga një tjetër ligj, që është ai i falimentit.
Ministria e Financave deklaroi se Tatimet duhet të veprojnë sipas ligjit të falimentit në procedura të tilla, por ekspertët e biznesit i druhen faktit se përplasja ligjore mund të keqpërdoret në të ardhmen nga zyrtarë të ndryshëm si mekanizëm presioni kundrejt bizneseve të caktuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›