E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kredi për të kursyer

ProCredit Bank, e para bankë në Shqipëri që financon investimet në teknologjinë e eficencës së energjisë elektrike. Mund të duket kontradiktore, por nuk është aspak një lapsus. Për herë të parë shqiptarëve u ofrohet një produkt bankar që u mundëson të kursejnë përmes investimeve në përmirësimin e mënyrës se si përdoret energjia elektrike. Bëhet fjalë për një kredi, që ProCredit Bank ofron për të gjithë ata që po kërkojnë mënyra dhe mjete për të minimizuar koston e përdorimit të energjisë elektrike. Kredia në fjalë është e aplikueshme si për bizneset, ashtu dhe për individët dhe konsiston në financim e teknologjisë që do të ulte ndjeshëm nevojën për përdorim të energjisë elektrike.
Të parët që kanë filluar tashmë të ndërgjegjësohen mbi impaktin pozitiv të kësaj iniciative, janë bizneset, që e shohin një investim të tillë si një mënyrë për të rritur cilësinë e shërbimeve në një kosto më të ulët, gjë që në një afat më të gjatë do të çonte në rritje të fitimit.
Znj. Sanije Braholli është vetëm një nga pronaret e biznesit, vëmendja e së cilës është përqendruar në efektin që investimet e eficiencës së energjisë mund të kenë në fitimet e saj.
Vitin e kaluar, Znj. Braholli, pronare hoteli në Durrës, investoi në panele diellore për ngrohjen e ujit për 10 dhomat e saj. "Unë dua të kursej energji", thotë ajo dhe në fakt faturat e saj mujore, që prej kryerjes së investimit, kanë pësuar rënie nga rreth 1700 euro në një mesatare prej 500 euro. Znj. Braholli shton se ajo ka një vizion afatgjatë për biznesin e saj, dhe kjo është edhe arsyeja se pse i kushton rëndësi përdorimit të eficiencës së energjisë. "Është një investim fillestar i madh, por që në fund të bën të kursesh shumë në kostot e energjisë dhe e bën biznesin tim edhe më konkurrues".
Ndërkohë që ndërgjegjësimi për përfitimet e eficiencës së energjisë po rritet në shumë biznese, edhe një barrierë tjetër tradicionale në përdorimin e eficiencës e energjisë- mungesa e financimit të këtyre investimeve- po thyhet gjithashtu. Sektori bankar në Shqipëri ka kuptuar tashmë rëndësinë e eficiencës së energjisë.
ProCredit Bank Shqipëri po hyn në këtë fushë si forca e parë lëvizëse, duke ofruar produkte kredie të eficiencës së energjisë si për bizneset dhe shtëpitë. Me këto kredi klientët e bankës do të mund të financojnë për sektorët e tyre në pajisje dhe teknologji të eficiencës së energjisë. Për shtëpitë mund të investohet në parametra teknikë eficiente në energji si psh. izolimi termik, dritare eficiente në energji, panele diellore ose bolierë efecientë të ngrohjes së ujit. Për bizneset, të cilat kanë një potencial më të madh në shumë fusha, mund të investohet në makineri dhe pajisje prodhimi eficiente në energji ose në ndërtesa eficiente për kompanitë tregtare dhe të shërbimit. Ndërkohë që për sektorin e biznesit eficiencë në energji do të thotë ulje e kostove dhe rritje e fitimeve, për shtëpitë do të thotë rritje e kursimit në faturat e tyre të energjisë dhe rritje e komoditetit me anë të investimit në eficiencën e energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›