E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i klandestinëve vazhdon, kapet udhërrëfyesi

Trafiku i klandestinëve drejt Greqisë vijon me intensitet e po ashtu edhe kapja e organizatorëve të këtij trafiku ilegal nga ana e policisë gjatë ditëve të fundit në rajonin jugor. Burime zyrtare nga Komisariati i Përmetit kanë bërë të ditur se mbrëmjen e djeshme është arrestuar shtetasi Fitim Shyti, 31 vjeç, nga fshati Krahës i Tepelenës. Ky i fundit është arrestuar nga ana e specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pasi rezulton të jetë autor i dhënies ndihmë të katër shtetasve për të kaluar kufirin shqiptar drejt Greqisë. Ai është kapur nga shërbimet e policisë kufitare në aksin rrugor Përmet-Carshovë në drejtim të stacionit kufitar të Tri Urave për të kaluar katër shtetas të moshës mbi 27-vjeçare nga Fieri. Këta të fundit janë marrë në patronazh nga Shyti me automjet me targë Fieri në drejtim të Përmetit e më pas për t‘i përcjellë ilegalisht drejt Greqisë. Pasi janë ndaluar, të katër shtetasit së bashku me Shytin, janë dërguar në Komisariatin e Policisë së Përmetit, ku janë marrë në pyetje. Kundrejt këtij shërbimi, 31-vjeçari nga Tepelena do të fitonte 700 euro për secilin deri sa t‘i përcillte në brendësi të territorit fqinj. Materialet në ngarkim të Fitim Shytit i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit kundrejt fitimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›