E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje, kërcënim për zonën naftëmbajtëse

18/12/2009  Janë rreth 430 objekte, për të cilat nuk ka asnjë vendim. Në rrezik jeta e banorëve
KUÇOVË- Banorë, përfaqësues të tre lagjeve “Naftëtari”, “Pika Turistike”, “Vidhat” dhe të 6 fshatrave Havaleas, Gega, Grizë, Frashër, Kozare, Metehor, ish-ferma Partizani etj, janë grumbulluar pranë ndërmarrjes të nxjerrjes të naftës në qendër të qytetit dhe kanë bërë apel për marrjen e masave urgjente nga ana e ndërmarrjes së nxjerrjes të naftës dhe shteti në ndihmë të banorëve të zonës naftëmbajtëse, për puset e nxjerrjes së naftës, të cilët vazhdojnë të punojnë pa pasur asnjë lloj mase sigurie, për mbrojtjen nga zjarri, sigurinë teknike për mbrojtjen e jetës të njerëzve, ndotjen e ambientit etj. Nga ana tjetër ndërtimet pa leje në këtë zonë kanë bërë që të bllokohen rrugët apo rrugicat për të shkuar tek puset në rast avarie apo zjarri.
Ndërtimet pa leje
Madje në shumë raste këto ndërtime që kapin shifrat e mbi 430 objekte të ndryshme, shtëpi banimi kasolle magazina deri dhe tek mullar me bare në tre sektorët e naftës të rrethit të Kuçovës kanë bllokuar edhe rrugicat e kalimit të kalimtarëve në këmbë, pa llogaritur në këtë rast kalimin e mjeteve të zjarrfikësve apo mjetet motorike të mirëmbajtjes. Kjo anomali e krijuar ka bërë që ambienti për rreth tyre të krijojë një tjetër rrezik eventual për rënie zjarri, ndotjen e ambientit, bllokim rrugësh etj. Komandanti i zjarrfikësve të rrethit të Kuçovës në një prononcim për gazetën tha se në disa raste të rënies së zjarrit na është dashur që të shtrijmë deri në 250 metra linjat e tubave për të përcjellë ujë për të fikur zjarrin e rënë, ndërsa në dy raste mbi 400 metra. Disa herë kemi ndërhyrë me shkresa në pushtetin lokal, por deri tani asnjë masë nuk është marrë ndaj shkelësve të ligjit pasi për prishjen e tyre ka të drejtë vetëm Policia Ndërtimore e dy komunave Kozare e Perondi si dhe e bashkisë. Në dy rastet e fundit kemi denoncuar në komunën Perondi për ndalimin e dy ndërtimeve pa leje, por ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Puna jonë ka qenë vendosja e një gjobe, gjë e cila nuk ka ndikuar në këtë rast, pasi duhet me patjetër që të ndërhyjë Polica Ndërtimore e komunës, pasi të dyja ndërtimet ndodhen në të njëjtin territor komune në fjalë. Nuk kam dijeni për tubim apo grumbullim banorësh pranë ndërmarrjes, por nëse po kanë të drejt. Në një komunikim zyrtar me shkresa ndërmarrja e nxjerrjes të naftës që ka në juridiksionin e saj territorin e zonës naftëmbajtëse ka kërkuar ndihmën tonë që nuk ia kemi kursyer, por që nuk e ka bërë një gjë të tillë tre njësitë vendore kështu ka përfunduar pohimin e tij komandanti i zjarrfikësve të rrethit të Kuçovës Shpëtim Gorica. Një tjetër prononcim ka bërë në media edhe drejtori i ndërmarrjes të nxjerrjes të naftës Rustem Berhami, sipas tij, janë një sërë shkresash dërguar tre njësive vendore, dy komunave Kozare e Perondi si dhe bashkisë të Kuçovës për problemin e ndërtimeve pa leje. Ua kemi bërë të qartë policive të ndërtimit të tre njësive vendore me anë të shkresave, gojarisht dhe disa herë komunikim telefonik për ndërtimet pa leje që vazhdojnë t’u zënë frymën puseve, të zënë rrugët e rrugicat. Askush nuk po ndihmon sektorin e naftës edhe pse kanë denoncimet e bëra për secilin ndërtim pa leje nga ndërmarrja jonë mbi tavolinat e punës së tyre përfundon Berhali prononcimin e tij pa harruar edhe apelin për ndihmë sektorit të naftënxjerrjes. Janë mbi 574 puse nafte të ndërtuara pranë shtëpive të banimit të ish-ndërmarrjeve dhe të tre lagjeve të qytetit si dhe në 6 fshatrat e kësaj zonës naftëmbajtëse, të cilat nga dita në ditë rrezikojnë jetën e banorëve kryesish dhe të fëmijëve. Idai Mara, banor i fshatit Havaleas, tha për gazetën se deri tani puset e pa rrethuara i kanë kushtuar zonës 8 viktima tre nga të cilat janë ende të gjymtuar mes tyre dhe një vajzë 16 vjeçe, të cilës i ka këputur një pjesë të këmbës.
Puset
Drejtori Berhanaj shpjegon se zona naftëmbajtëse e Kuçovës ka pasur gjithsej 1300 puse në shfrytëzim, por aktualisht rreth 600 prej tyre janë hequr nga inventari fizik i ndërmarrjes së prodhimit. Këta puse të ndalur kanë pasur avari të ndryshme, si shembje të shtresave naftëmbajtëse, deformime të kolonave të puseve, mungesë fondesh investuese për rikthimin e tyre në punë e plot avari të tjera të ndryshme teknike, shumica të pariparueshme për mundësitë e ndërmarrjeve shqiptare. Ndërmarrja e prodhimit të naftës në qytetin e Kuçovës, aktualisht ka 440 punonjës dhe me rreth 300-320 puse që shfrytëzon prodhon rreth 800 metër kub naftë bruto në muaj. Zona naftëmbajtëse e Kuçovës u zbulua nga shoqëria italiane AIPA, që pusin e parë e shpojë në vitin 1926, me sonda të tipit batipal. Shoqëria AIPA e ka marrë me koncesion tërë zonën naftëmbajtëse brenda qytetit të Kuçovës për 99 vjet 2026, por që aktualisht një tjetër ndërmarrje ka marrë zonën naftëmbajtëse me koncesion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›