E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e tokës, shemben dy banesa

18/12/2009  Në rrezik disa të tjera
BERAT- Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë bërë që një masiv dheu me përmasa disa dhjetëra metra katrorë, të pësojë shkëputje duke dëmtuar në mënyrë të pariparueshme dy banesa private, ndërkohë që në rrezik janë disa banesa të lagjes. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Muzakaj” të qytetit të Beratit, por fatmirësisht është mbyllur vetëm me dëme materiale. Nga rrëshqitja e dheut kanë dal jashtë funksionit banesat e familjeve Shehu e Berberi, të cilat kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Banesa njëkatëshe e shtetasit Gramoz Berberi ka pësuar shembje të plotë të murit të pasmë dhe krisje të të gjithë mureve të tjerë të banesës, duke dalë kështu jashtë funksionit. Ndërsa banesa dykatëshe e shtetasit Myslym Shehu ka pasur shembje të plotë të katit të dytë, ku banonte e tërë familja me 6 persona dhe krisje të disa mureve të katit të parë të saj, i cili përdorej si kuzhinë dhe magazinë e tyre. Në vendngjarje kanë shkuar drejtues dhe specialist të bashkisë, por edhe prefekti i qarkut Kostandin Lefta me anëtarë të shtabit të emergjencave civile, të cilët kanë marrë masa për evakuimin e banorëve, për studimin e shkaqeve të kësaj rrëshqitjeje dhe vlerësimin e dëmeve material. Burime nga institucioni i prefektit të qarkut të Beratit, sqaruan se për këtë ngjarje janë informuar institucionet qendrore të shtetit dhe instituti sizmologjik në Tiranë, të cilit i është kërkuar ndihmë për dërgimin e një grupi të specialistëve të tij, të cilët të bëjnë studimin sizmologjik të zonës, ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut, me qëllim marrjen e masave preventive për parandalimin e këtij fenomeni dhe për parandalimin e ngjarjeve të tjera me pasoja për jetën e njerëzve. Nga ana e tyre banorët shprehen të alarmuar se ndihen ende të rrezikuar dhe se tashmë kanë frikë të futen në ato gërmadha ku janë shndërruar banesat e tyre. Ata kërkojnë nga ana e bashkisë sistemimin e përkohshëm, pasi nuk kanë se ku të kalojnë natën në këto ditë të ftohta dhjetori, ndërkohë që ngrenë zërin duke kërkuar ndihmë për rregullimin e banesave të tyre. Rrëshqitja e dheut ka bërë që tashmë në rrezik të jenë dhe disa banesa që ndodhen shumë pranë dy shtëpive të shembura. Banesat ndodhen në faqen perëndimore ku ndodhet kalaja e qytetit, ndërkohë që banorët shprehen se i kanë ndërtuar me leje dhe se kanë investuar për ngritjen e mureve mbrojtës për të shpëtuar nga rrëshqitja e tokës, gjë e cila rezultoi pa vlerë si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›