E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje mbijnë si kërpudha çdo ditë në Ksamil

"Nuk do të ketë asnjë ndërtim më afër se 100 metra nga bregu i detit!" Ky ishte vendimi i fundit i KRRTRSH-së për ndërtimet në bregdet. Ky vendim u mor rreth tetë muaj më parë. Por sot askush nuk ka pyetur për këtë urdhër të firmosur nga vetë Kryeministri Berisha. Ndërtimet kanë vazhduar dhe jo me tre kate, por edhe 22 kate. Më 17 korrik 2008, KKRRTRSH vendosi që të gjitha ndërtimet në zonat turistike të bëhen në distancën e 100 metrave larg bregdetit. KRRTRSH, në këtë mbledhje, përcaktoi gjithashtu që të kontrolloheshin të gjitha ndërtimet që ishin bërë deri në atë kohë në zonat bregdetare, për të parë nëse cenonin apo jo planin urbanistik. Vetë Kryeministri Berisha firmosi këtë vendim, i cili parashikonte që të gjitha ndërtimet që janë bërë 100 metra në afërsi të bregdetit do t‘u nënshtroheshin shkatërrimeve, duke respektuar në këtë mënyrë turizmin, por edhe planin urbanistik të zonave bregdetare. Madje, Kryeministri Berisha kërkoi gjatë kësaj mbledhjeje të KRRTRSH-së që pushteti vendor të bënte brenda pak muajve planet lokale të ndërtimit. Gjithashtu, u miratua plani rregullues i Jugut, që i ndalon të gjitha ndërtimet që të bëhen në zonat turistike 100 metra nga bregdeti. Tetë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi dolëm përgjatë bregdetit, duke filluar nga Durrësi. Përgjatë bregut në Durrës, Shkëmbin e Kavajës dhe Golem, gjetëm ndërtime shumëkatëshe që vazhdojnë të ndërtohen edhe pse është e ndaluar. Pak metra sa kalon Shkëmbin e Kavajës, 20 metra larg bregut, është duke përfunduar së ndërtuari një superpallat me 22 kate. Pallati ndërtohet në brezin e rërës. Të gjithë e shohin dhe askujt nuk i bën përshtypje se është 22 kate, ndërkohë që nuk lejohen ndërtime më shumë se tre kate as në bregdetin jugor nuk ka gjetur zbatim vendimi i KRRTRSH-së. Në Ksamil është e njëjta pamje, por këtu ndryshe nga vendet e tjera, ata që kanë ndërtuar janë anonimë. Në çdo muaj gjen një ndërtesë të re. Atje vazhdon ndërtimi i objekteve të reja dhe shumëkatëshe, pavarësisht se Ksamili është zonë në të cilën nuk duhet të ndërtohet më. Por as kryetarit të Komunës së Ksamilit nuk ia vret syrin kjo masakër, për sa kohë vrulli i ndërtimeve pa leje është frenuar disi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›