Rama: Korrupsioni e Kryeministri janë të lidhur
Kryetari i PS, Edi Rama, gjatë turit në veri është ndalur në Shkodër, për t‘u takuar me vullnetarët e rinj të këtij qyteti. Në fjalën e tij, Rama konstatoi se ka 18 vjet që politikanët e vjetër e tregojnë varfërinë si shënjestrën e luftës së tyre, por sot të gjithë shqiptarët pa përjashtim moshe ndihen më shumë të varfër. Kryesocialisti theksoi se sot Shqipëria është më e varfër se 4 vjet më parë, pasi prej 4 vjetësh qeveria e Berishës nuk mbajti asnjë premtim. Rama u bëri thirrje të rinjve se nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme, për ta provuar ndryshimin e madh, ndryshimin e historisë. Sipas tij, askush s‘mund ta parafytyronte atëherë se 18 vjet pas lindjes së institucioneve të lirisë, Shqipëria do të kishte një liri kaq të varfër në vlera, kaq të kushtëzuar nga marrëdhëniet me politikën në pushtet, kaq të kufizuar në lëvizje dhe kaq të kërcënuar nga mungesa e sigurisë së jetës. "Askush s‘mund ta përfytyronte në ditët e paharrueshme të përmbysjes së komunizmit se 18 vjet më pas, shumica e papushtetshme që ndryshoi rrjedhën e historisë duke dalë në rrugë për të kërkuar Shqipërinë si gjithë Evropa, do të ishte ende në kërkim të rrugës për të mbërritur në Evropë", u shpreh Rama. Ai vlerësoi se askush nuk mund ta imagjinonte që edhe pas 18 vjetësh Shqipëria do të ishte në drejtimin e një komunisti.