E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Japim 5000 euro nëse gjendet vrasësi

20/07/2010 Blutë e Tiranës përcaktojnë edhe shkakun e vrasjes së 34-vjeçarit

Viktima i martuar dhe i dashuruar me motrën e vrasësit nga Mirdita

TIRANË- Policia e kryeqytetit ka zbardhur shkaqet e vrasjes së Gramoz Markut, i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës pranë Spitalit Ushtarak si dhe ka vënë 5 mijë euro shpërblim për atë që jep informacione rreth vendndodhjes së vrasësit. Falë një hetimi të shpejtë të kësaj ngjarje ka rezultuar se autori është Artur Lleshi, 22 vjeç, banues në Mirditë, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Shkaku që e ka çuar këtë të fundit në përdorimin e armës, mendohet të jetë lidhja e jashtëligjshme e viktimës me të motrën. Artur Lleshi pasi është kthyer nga Greqia ka marrë vesh se e motra bashkëjetonte në Tiranë me Gramoz Markun, për të cilin ka zbuluar se ishte i martuar dhe kishte edhe dy fëmijë në Mirditë. Ai nuk ka qenë dakord me këtë bashkëjetesë dhe në prani të motrës së tij është takuar me viktimën në një lokal në fund të rrugës “Don Bosko”. Mbas largimit për një çast të së motrës debati është ashpërsuar edhe më shumë, në këtë moment Artur Lleshi ka nxjerrë pistoletën dhe i ka qëlluar tri herë në kokë dhe në gjoks 34-vjeçarit Gramoz Marku, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Vrasësi është larguar më pas me nxitim në drejtim të paditur. E menjëhershme ka qenë mbërritja e grupit të posaçëm hetimor, i cili ka kryer të gjitha veprimet e para hetimore e procedurale, duke administruar të gjitha provat, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasje. Burime nga policia bëjnë me dije se në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një sërë provash materiale, të cilat vërtetojnë edhe njëherë se autori i vrasjes është Artur Lleshi. Ndërkohë që burime zyrtare nga policia shprehen se “po punohet për kapjen e autorit të vrasjes tashmë të identifikuar, duke u vënë në gatishmëri çdo patrullë rrugore në mënyrë që autori i krimit të mos ketë shumë mundësi lëvizëse, në mënyrë që arrestimi i tij të bëhet sa më shpejt. Nga ana e strukturave të policisë së Tiranës është vendosur të vënë në dispozicion një shpërblimin prej 5000 eurosh, për të gjithë ata që do të japin informacion të vlefshëm mbi vendndodhjen e autorit, që do të mund të finalizohet me kapjen e tij”. Vrasja ka alarmuar banorët e zonës, të cilët menjëherë lajmëruan policinë, e cila shkoi në vendngjarje, por nuk mundi të arrestonte autorin.

A.Halili

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›