E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje, shteti ti konfiskojë

04/03/2009  PD-PS miratojnë parimisht draftin “Për planifikimin e territorit”. Shoqata depoziton propozimet

Sekretari i përgjithshëm i KRRTRSH-së: Ligji nuk lejon punime të paligjshme

Albana Lika

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë u ka kërkuar ligjvënësve në Komisionin parlamentare të Veprimtarisë Prodhuese të përcaktojnë në ligjin “Për planifikimin e territorit” se çdo ndërtim pa leje që do të ndërtohet, të prishet ose konfiskohet nga shteti. Vërejtja, mes shtatë të tillave të prezantuara në komision gjatë mbledhjes së djeshme, u paraqit pas konstatimit të tyre se neni 83 i projektit lë vend për keqkuptime, duke lejuar ndërtime pa leje. Ky shqetësim ka marrë përgjigjen e menjëhershme të sekretarit të përgjithshëm të KRRTRSH-së Marin Biçoku, i cili garantoi se ligji i pengon ndërtimet e paligjshme. Në përfundim të diskutimeve komisioni me votat e të dyja palëve miratoi në parim projektligjin e qeverisë.

Vërejtjet e ndërtuesve

Përcaktimet në ligj lidhur me hapat që ndërmerren nga autoriteti përgjegjës për punimet pa leje apo kushteve të shkeljes së lejes, përbënë edhe shqetësimin kryesor të shoqatës së ndërtuesve. Sekretari i përgjithshëm i SHNSH-së Arben Dervishaj u kërkoi ligjvënësve të ripunojnë nenin 83 të ligjit. “Ky nen lë shteg për keq interpretim në lidhje me ndërtimet pa leje. Ne si shoqatë jemi kategorikisht kundër ndërtimeve pa leje. Çdo gjë që do të ndërtohet pa leje ose duhet të prishet, ose duhet të konfiskohet nga ana e shtetit”, - kërkoi ai. Shqetësimin e tyre e ka përkrahur edhe kryetari i komisionit, deputet i Partisë Socialiste Ylli Bufi. “Koha që ky ligj hyn në fuqi është e konsiderueshme dhe pikërisht kjo periudhë transitore lë vend për abuzime”, - tha Bufi. Por Biçoku e ka kundërshtuar në mënyrë të hapur këtë konstatim të palëve, duke deklaruar se ligji nuk lejon ndërtime pa leje. “Në mënyrë kategorike ligji nuk lejon ndërtime pa leje në kundërshtim me planet rregulluese. Madje, ky ligj garanton prishjen e ndërtimeve pa leje”, - tha ai.

Mbështetja

Gjatë diskutimeve në parim deputetët e të dy kaheve politike vlerësuan rëndësinë e projektit dhe ndanë mendimin se ai duhet të ishte sjellë më shpejt në Parlament. “E vlerësoj ligjin shumë të rëndësishëm, pasi ai do të realizojë një reformë po kaq të rëndësishme. Duhet të kishte ardhur në Parlament më herët, me qëllim që të zgjidheshin çështjet e planifikimit të territorit. Projekti zgjidh dy probleme themelore: planifikimin dhe kontrollin e territorit”, - tha Bufi. Të njëjtin mendim ndau edhe deputeti i Partisë Demokratike, relatori i çështjes Ardian Kollozi. “Projektligji garanton planifikim transparent, të harmonizuar e me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe procedura administrative të thjeshta, transparente e bashkëkohore për lejet e zhvillimit dhe ato të ndërtimit. Në projekt sanksionohen parimet për procedura të shkurtra dhe të thjeshta për marrjen e leje së ndërtimit, si dhe janë harmonizuar procedurat e inspektimit dhe kontrollit të territorit”, - tha Kollozi.

LSI kundër projektit

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Nikollaq Neranxi ishe i vetmi deputet në Komisionin parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese që votoi kundër projektit të qeverisë. Sipas tij, ligji nuk zgjidh çështjet e pronësisë, si dhe legalizon mundësinë për vjedhjen e pronave në bregdet. “Pronat në bregdet nuk janë të hipotekuara. Por, që të marrësh një leje ndërtimi, duhet dokumenti i hipotekimit”, - tha Neranxi. Sipas tij, qeveria shqiptare duhej ta kishte zgjidhur më parë problemin e pronësisë, duke u kthyer ish-pronarëve pronën e tyre dhe pastaj të kërkonte zbatimin e një projekti të tillë.

Vërejtjet e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë

Në ligj të mos futet Këshilli Kombëtar i Territorit, sepse kemi vetëm ndryshim të emrit të KRRTRSH-së. Kërkojmë që organet vendimmarrëse të jenë Këshilli i Ministrave, komuna, bashkia dhe qarku.

Të zvogëlohen kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, duke i hequr atributet e autoritetit kombëtar të planifikimit të parashikuara në projekt.

Afatet e marrjes së lejes së zhvillimit duhet të jenë më të shkurtra, dhe kjo bazuar në atë që leja e zhvillimit kthehet në një proces administrativ. Propozojmë që afati të jetë maksimumi 45 ditë, duke i lënë kryetarit të njësisë vendore 10 ditë për të miratuar ose jo kërkesën për zhvillim.

Të parashikohet në projektligj, pasi mungon, afati për dhënien e lejes së ndërtimit. Ky afat të jetë sa më i shkurtër. Afati prej 30 ditësh për të filluar punimet pas marrjes së lejes s’është i drejtë, sepse subjekti mund të fillojë punimet sapo atij i është dorëzuar dokumentacioni i lejes.

Të hiqet përcaktimi në projekt “nëse akti nuk është botuar në regjistër, ai nuk ka hyrë në fuqi”. Nuk mund të penalizohet një subjekt (të quhet i papajisur me leje) për gabime me dashje apo pa dashje të organeve vendimmarrëse.

Të ripunohet neni 83, pasi lë shteg për keqinterpretim në lidhje me ndërtimet pa leje. Çdo gjë që do të ndërtohet pa leje ose duhet të prishet, ose duhet të konfiskohet nga ana e shtetit.

Të precizohen sanksionet, sepse janë lënë me diapazon mjaft të gjerë, çka do të lërë shteg për abuzime dhe korrupsion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›