E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pazari” 150 mijë euro, mashtruesja “sjell” të dëshmojë prokurorin

04/03/2009  Gjykata pranoi kërkesën e Albana Lazes, e cila kërkon si dëshmitar Adnant Kosovën

TIRANË-Gjykata pranoi dje kërkesën e bërë nga e pandehura Albana Laze, arrestuar si mashtruese e “ klasit të parë”, për të pyetur në cilësinë e dëshmitarit ish-kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnand Kosova. Kërkesa e të pandehurës u bë menjëherë pas seancës gjyqësore ku si dëshmitare ishte e fejuara e Emiliano Shullazit. Laze kërkoi të thirrej si dëshmitar edhe kreu aktual i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. E pandehura ka deklaruar se paratë janë dorëzuar personave me rëndësi të çështjes. Ndërsa bëhet fjalë për marrjen e 150 mijë eurove nga familjarët e Shullazit dhe pretendimit të të pandehurës Laze se këto para janë shpërndarë prokurorëve dhe gjyqtarëve. Hetimet gjyqësore kanë nxjerr fakte të reja. Pas këtyre hetimeve vet e pandehura kërkoi të thirret si dëshmitar Kosova dhe pas tij Tonin Vocaj dhe Arben Frashëri. Ndërkohë që u pranua kërkesa për thirrjen e Adnand Kosovës për dy të tjerët gjykata rezervoi të drejtën për t’u shprehur pas marrjes së dëshmisë së tij. Albana Laze që në fillim të procesit është shprehur se vetë nuk ka marr para, por është interesuar për të ndihmuar familjen e Shullazit, një prej eksponentëve të krimit në vendin tonë, i cili është duke vuajtur dënimin e marrë nga gjykata për trafik droge. Laze nuk pranon fajësinë. Por në këtë vorbull ajo ka futur emra prokurorësh dhe gjyqtarësh. Nuk ka ngurruar t’i përmend para trupit gjykues të drejtuar nga Petrit Çomo. Por nga ana tjetër personat e prekur nga Laze e kanë akuzuar atë dhe kanë bërë direkt kallëzim penal në Prokurori. Albana Laze është 34 vjeçe nga Shkodra. Ajo akuzohet se ka mashtruar shtetasit Agim Bonaca dhe Ferit Ferhati, duke u marr 150 mijë euro në këmbim të premtimit se do t’u lironte të afërmit nga burgu. Këtë gjë, Laze sipas akuzës e ka bërë duke shfrytëzuar emrat e drejtuesve të Prokurorisë dhe gjykatës. Adnand Kosova që dje është kërkuar të thirret si dëshmitar nga ana e të pandehurës, ka bërë kallëzim për akuzën e “shpifjes për shkak të detyrës”. Kallëzim penal kundër Albana Lazes ka bërë edhe ish-kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Sandër Simoni. Po këto emra Laze nuk ka ngurruar t’i përmendë edhe para trupit gjykues, i cili fillimisht i ka parë me dyshim, por dje ka vendosur të thërras si dëshmitar Adnand Kosovën. Albana Laze, përveç akuzës “vjedhje me anë të mashtrimit” do të përballet me ekspertët edhe për akuzën “shpifje për shkak të detyrës”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›