E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zidan-Perez, bashkëpunim për të larguar Kalderon

Zinedin Zidan është i gatshëm që të rikthehet te Reali i Madridit, por këtë herë në një rol teknik. Lufta e nëndheshme për pushtet në "Santiago Bernabeu" është e njohur dhe sipas gazetës "Sport", francezi është bërë aleat me ish-presidentin e skuadrës, Florentino Perez. Njeriu që e shndërroi Realin në një skuadër "galaktike" duket se është i interesuar për të marrë drejtimin e klubit. Sipas mediave iberike, Ramon Kalderon, momentalisht në postin e numrit 1 të klubit, është në dijeni të këtij synimi dhe po punon që të përforcojë bazat mes aksionerëve. Gazeta "Sport" citonte: "Zinedin Zidan është i gatshëm të japë mbështetjen për Florentino Perez, nëse ky i fundit do të vendosë të kandidojë për presidencën e Realit të Madridit". Zidan ka një marrëdhënie të shkëlqyer me personin që e bleu nga Juventusi, ndërkohë që ka mbetur i indinjuar nga sjellja e Kalderon dhe Mijatoviç. Drejtuesit aktualë kanë përdorur si reklamë bisedën që kanë zhvilluar me përfaqësuesin e Zidan, ku është folur rreth punësimit të mundshëm të ish-futbollistit në klub.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›