Presidenca e BE, Moratinos: Më 2 qershor propozohet heqja e vizave për Bosnjën
Shefi i diplomacisë spanjolle ka deklaruar se Bosnja do të marrë një dritë jeshile për udhëtimin pa viza drejt BE-së që nga qershori, ndërkohë që nuk ka thënë asnjë fjalë për Shqipërinë, kur këto dy vende janë vendosur në një regjim nga vendimi i vitit të kaluar të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, nën Presidencën suedeze. “Bashkimi Europian do të propozojë më 2 qershor heqjen e regjimit të vizave për qytetarët boshnjakë, që presin me padurim ta fitojnë këtë të drejtë”. Këtë e ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Sarajevë Miguel Angel Morantinos, ministri i Jashtëm i Spanjës, presidenti i radhës i BE-së. “Shpresoj me të vërtetë që kur të takohemi në qershor do të jem në pozicionin për të shpallur formalisht në emër të BE-së, që populli i Bosnjë-Hercegovinës mund të udhëtojë pa vizë brenda territorit të të gjithë Bashkimit Europian”, ka deklaruar Moratinos para gazetarëve, duke iu referuar Samitit mes BE-së dhe Ballkanit, i parashikuar të zhvillohet në kryeqytetin boshnjak. “Ministri i Jashtëm spanjoll më ka thënë qartësisht se do të shpallë zyrtarisht në qershor heqjen e vizave”, ka konfirmuar më pas Sulejman Rihiç, kreu i Partisë për Aksionin Demokratik, forca politike kryesore e komunitetit mysliman të Bosnjës. Dhjetorin e shkuar, vetëm Shqipëria dhe Bosnja mbetën të përjashtuar nga liberalizimi i vizave, që BE-ja i akordoi Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. “Mendoj se do të thotë shumë që shumica e popullit të Bosnjë-Hercegovinës kërkon me ngulm marrjen e këtij vendimi dhe mund të them se po i afrohemi”, ka shtuar Moratinos, sipas të cilit përfshirja e vendit ballkanik në qarkullimin e lirë në BE është një “masë shumë konkrete dhe specifike, që do t’i demonstrojë popullit boshnjak që gjërat janë duke ndryshuar”. Fakti që mund të ndodhë një kualifikim më i lartë i Bosnjës, duke mënjanuar Shqipërinë, ka dalë për të parën herë dy ditë më parë nga burime të Komisionit Europian në Strasburg. Ndërkohë që qeveritarët shqiptarë kanë kërkuar që Shqipëria të ndahet nga Bosnja në kualifikim, gjërat siç duket po përkeqësohen. Lajmin e jep “Euobserver”, në një artikull të tijin, sipas të cilit, Komisioni Europian ende nuk ka paraqitur raportin në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. “Sipas burimeve të BE-së, raporti i komisionit do të hartohet gjatë këtij muaji dhe një rekomandim i mundshme i tij nuk do të paraqitet para muajit qershor”, shkruan “Euobserver”, duke shtuar se qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës kanë nevojë për vizë për të vizituar vendet në zonën Shengen, ndërkohë që BE-ja vitin e kaluar hoqi vizat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kosova nuk është përfshirë në këtë proces. Sipas Traktatit të Lisbonës të BE-së, miratimi nga Parlamenti Europian është i nevojshëm edhe për të hequr regjimin e vizave për të dyja vendet e Ballkanit. PE është i prirur në mënyrë të qartë për ta bërë këtë, por do të duhet të paktën dy muaj për të ndërmarrë hapat e nevojshëm zyrtar.
#