Ndërtimorët në aksion: Po përfitojnë nga zgjedhjet
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Inspektorati ndërtimor në Shkodër po punon intensivisht për të ndalur veprimet abuzive të personave të ndryshëm që përfitojnë nga situata parazgjedhore. Ndërhyrja e fundit është ajo pranë urës së Bunës për prishjen e disa objekteve të shëmtuara dhe të ndërtuara pa leje. “Bashkëpunimi me komunitetin dhe zbatimi i ligjit për një sistem urban model, është motoja e punës së inspektoratit ndërtimor të Bashkisë Shkodër”, u shpreh për mediat kreu i Inspektoratit, Roland Çomo. Sipas tij, nisur nga fakti që vendi është në fushatë zgjedhore, në disa zona periferike të qytetit ka tendenca për të përfituar në lidhje me fillimin e punimeve për të bërë ndërtime pa leje. “Por kjo gjë nuk na tremb, sepse ne e kemi situatën nën kontroll. Çdo veprim e kemi bërë në bazë të ligjit nr. 9780, i datës 16 korrik 2007 për inspektimin e ndërtimit, duke i kapur që në fazat fillestare dhe duke ndëshkuar sipas ligjit kundërvajtësit me sanksione administrative”, pohoi Çomo. Ai pohoi se është kryer inspektimi në të gjithë qytetin e Shkodrës dhe janë bërë procesverbalet përkatëse, ku janë shënuar ndërtimet pa leje, të cilat kanë nisur tashmë. Për 3-mujorin e fundit janë vendosur 6 milionë lekë gjoba, duke përfshirë individë të ndryshëm apo dhe subjekte ndërtimi. Një drejtim i rëndësishëm i punës së këtij inspektorati ka qenë hapja e shesheve të ndërtimit në investimet publike që janë bërë dhe do të bëhen në qytetin e Shkodrës, kryesisht në lirimin e akseve rrugore, të trotuareve, sipërfaqeve të gjelbra etj. “Fillimisht ne i kemi paralajmëruar të gjithë. Më pas kemi vazhduar me hapat e tjerë. Askujt nuk duhet t’i shkojë ndërmend që të fillojë të bëjë ndërtime pa leje në qytetin e Shkodrës”, u shpreh Çomo. Për 5 muajt e parë të këtij viti numri i prishjeve arrin rreth 180 objekte të ndryshme. Njëkohësisht, me fillimin e stinës së nxehtë ky inspektorat do të ketë në qendër të vëmendjes faktin se biznese të ndryshme zënë trotuaret e rrugëve, duke bërë që këmbësorët të zhvendosen për të lëvizur në rrugë, çka përbën burim aksidentesh. “Në rast se kjo do të ndodhë, ndaj kundërvajtësve do të merren masa administrative”, ka përfunduar Çomo.