Ndërtuesit, çmimet e banesave do rriten me 10 %
Fabiola Çela
Çmimet e apartamenteve do të rriten sërish. Sipas burimeve nga Shoqata e Ndërtuesve, çmimet e banesave do të rriten me 10 për qind. Shkak për këtë rritje të radhës është vendimi i qeverisë për të rritur nivelin e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Edhe pse çmimet e lëndëve të para në ndërtim si hekur, çimento etj., kanë pësuar ulje, ky ndryshim nuk pritet të ndikojë në çmimin e banesave.
Vendimi
Çmimet e banesave në Tiranë çdo vit shtrenjtohen gjithnjë e më shumë. Në vitet e kaluara, shkak për rritjen e çmimit ishte kërkesa e lartë, ndërsa deri pak kohë më parë ndërtuesit deklaronin e shkaku kryesor për rritjen e çmimit të apartamenteve ishte rritja e çmimit të lëndëve të para në bursat ndërkombëtare. Por edhe pse çmim i këtyre të fundit në tregjet ndërkombëtare ka pësuar ulje, përsëri çmimet e banesave po rriten sërish. Sipas burimeve nga Shoqata e Ndërtuesve shkak për këtë është vendimi i qeverisë për të rritur nivelin e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 për qind në 6 për qind. Në fakt, ky vendim i qeverisë u kundërshtua ashpër nga ndërtuesit, por pavarësisht kësaj, qeveria vendosi të miratojë këtë vendim. E thënë ndryshe, të blesh një apartament në kryeqytet tani do të kushtojë më shumë se më parë.
Ndërtimi
Sektori i ndërtimit është një ndër sektorët më të rëndësishëm në ekonominë vendase. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i lejeve për ndërtime të reja gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 është rritur ndjeshëm, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ky tregues mbetet rreth 50% më i ulët, sesa mesatarja historike e tremujorëve të parë të viteve 2003-2007. Kontributin më të lartë në rritjen vjetore të lejeve të reja për ndërtim, për tremujorin e parë të vitit e kanë dhënë lejet për ndërtimin e banesave, të cilat kanë përfaqësuar rreth 64 % të numrit të përgjithshëm të lejeve të ndërtimit. Vlera e parashikuar e ndërtesave të reja sipas lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, pati një rritje vjetore me rreth 50%.