E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, gati paketa antikrizë

Ndërtuesit i kanë dërguar një letër Kryeministrit, por nuk kanë marrë ende përgjigje, duke u detyruar që të mbledhin Aktivin Kombëtar të Shoqatës, në mënyrë që të vendosin mbi hapat konkretë në të ardhmen plot pasiguri. Sektori tashmë ka hyrë në krizë të thellë: 800 subjekte nuk kanë kryer asnjë aktivitet gjatë 2008-ws dhe rrezikojnë falimentimin, ndërsa rreth 4000 objekte banimi kanë mbetur pa u shitur. Vlera e përafërt e këtij bllokimi është rreth 250 milionë euro, humbje për sektorin, por edhe për arkën e shtetit. Nga bankat nuk marrin më kredi si dikur, kurse ligjet e miratuara së fundmi nga qeveria kanë dhënë goditjen e radhës. Sektori më vital i ekonomisë, me një xhiro vjetore prej rreth 1.2 miliardë dollarë, nuk po jep më rendimentin e duhur, dhe këtu nuk flitet më për norma fitimi, por për subjekte të vogla nënkontraktore dhe familje që janë të lidhura me ndërtimin, të cilat po shohin ditët më të vështira. E së fundmi kolapsi financiar në botë dhe efektet e para negative në rënien e konsumit, i kanë dhënë "dorën e fundit" krizës në ndërtim. Për këtë qëllim, Shoqata e Ndërtuesve është duke u përgatitur që brenda javës që vjen t‘i paraqesë qeverisë planin antikrizë, i pari për Shqipërinë që nga ndryshimi i dy sistemeve ekonomike.

Masat

Aktivi Kombëtar i Shoqatës së Ndërtuesve u mblodh dje për të diskutuar çështjet kryesore që pengojnë zhvillimin e sektorit dhe për të dalë në një qëndrim të vetëm rreth formës që do të ndiqet drejt daljes nga kriza. Një ndër drejtuesit kryesorë të shoqatës, Luigj Aleksi, nxori në pah disa probleme të rënda, duke nisur nga mungesa e lejeve dhe afati i gjatë për miratimin e tyre, e deri te ligji i ri i prokurimit publik, i cili duhet të zbatohet në formë elektronike. "Gjatë vitit 2008, sektori i ndërtimit është përballur me kushtet e një klime të përgjithshme jo shumë të favorshme për biznes. Të dhënat tregojnë se një numër relativisht i madh i shoqërive të ndërtimit nuk kanë kryer fare veprimtari", tha Aleksi. Problemi kryesor për ndërtuesit vazhdon të mbetet mungesa e lejeve të ndërtimit, por edhe i planeve rregulluese. "Edhe ligji i fundit "Për urbanistikën" që po miratohet nga Kuvendi duket i paqartë dhe nuk jep zgjidhje të problemit", shtoi Aleksi. Tjetër problem lidhet me licencat, të cilat paraqiten me dokumentacion tepër burokrat dhe kohë të gjatë, duke krijuar jo shumë hapësirë që subjekti ta marrë licencën në kohën e kërkuar nga Ministria e Punëve Publike. "Rreth 65% e subjekteve nuk janë licencuar ende për shkak të mosaplikimit sipas kritereve dhe procedurave të reja të përcaktuara në VKM, të cilat kërkonin një kohë relativisht të gjatë", u shpreh drejtori i shoqatës. Ligji për prokurimet e reja elektronike vlerësohet nga ndërtuesit me mjaft mangësi, ku në radhë të parë nuk garanton uljen e korrupsionit. Ndërtuesit nuk duan që në garë për punimet publike të hyjnë edhe ato kompani pa eksperiencë dhe kapacitet teknik dhe financiar. Manuali i punimeve të ndërtimit dhe çmimet e tyre të centralizuara e të fiksuara, mbi bazën e të cilit të bëhet llogaritja e detyrimeve tatimore për të gjithë shoqëritë e ndërtimit, përfshi dhe referencën mbi pagë, konsiderohet nga shoqata si akt ekstrem i qeverisë.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Drejtoria e Tatimeve ka miratuar një listë për mallra e artikuj të ndryshëm, në mënyrë që ato të përdoren nga administrata tatimore për kryerjen e kontrolleve tatimore dhe llogaritjen e detyrimeve të shoqërive tregtare. "Pra, kërkohet që edhe për shitjet në tregun e brendshëm të veprohet si në dogana, me çmime reference. Se sa absurde është kjo, këtë gjithkush e ka të qartë, po të ketë parasysh atë se çfarë ndodh praktikisht me çmimet, të cilat janë aq dinamike sa, për të njëjtën cilësi të mallit ato ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme edhe brenda të të njëjtës ditë", shprehen ndërtuesit. Përballë një realiteti të tillë shqetësues e aspak premtues, për Shoqatën e Ndërtuesve "çdo shfaqje euforie do të tingëllonte pa kuptim, prandaj ne kërkojmë me forcë nga qeveria që të bëjë çfarë është e mundur për të amortizuar sa më shumë valën goditëse të krizës globale financiare".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›