E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: "Të hënën ejani të protestojmë para Parlamentit"

Autori i Lajmit: RedaksiaProtesta para Parlamentit të Shqipërisë. Kështu ka zgjedhur Partia Socialiste të mbyllë protestat njëjavore të këtij viti për tu rikthyer përsëri në rrugë në janar. “Ditën e hënë, Partia Socialiste i fton të gjithë mbështetësit e saj që të mblidhen përpara sallës së Parlamentit për të vijuar protestat e saj në Tiranë”, - tha dje deputeti socialist Eduard Shalsi, i cili u bëri me dije simpatizantëve të PS-së që të shkojnë atje për të protestuar për krizën demokratike në të cilën e ka zhytur vendin dhe institucionet, papërgjegjshmëria e Sali Berishës. “Ejani të protestojmë kundër kokëfortësisë berishiane që kërkon tu mohojë shqiptarëve të drejtën elementare të hapjes së kutive. Ejani të protestojmë kundër kësaj qeverie, që gjendjen ekonomike mundohet ta paraqesë si zhvillim të paparë ndërkohë që kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në Shqipëri”, - pohoi Shalsi. Sipas tij, PS do të protestojë dhe për rritjen e çmimit të energjisë, që godet dhjetëra mijëra familje shqiptare, por dhe qindra biznese të cilët përveç krizës ekonomike tashmë i duhet të përballojnë papërgjegjshmërinë qeveritare, por dhe për mbërthimin dhe komandimin e shtetit nga një familje e vetme, ajo kryeministrore që interesat speciale të saj i ka vendosur mbi interesat e përgjithshme të popullit. “Ejani të protestojmë, sepse ne ende vazhdojmë të vuajmë mungesën e lirisë për të lëvizur ndërkohë që fqinjët tanë festojnë heqjen e regjimit të vizave dhe duke filluar nga sot maqedonasit, malazezët dhe serbët do të udhëtojnë lirisht në Evropë. Ejani ti tregojmë këtij kryeministri se shqiptarët nuk meritojnë as gjuhën dhe as fjalorin e pështirë të tij dhe as i kanë borxh sjelljen arrogante dhe të papërgjegjshme. Shqiptarët duan zgjidhje për problemet që kjo qeveri po ua shton përditë e më tepër”, - përfundon ftesa e tij për mbështetësit socialistë.

Ky lajm është publikuar: 20/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›