E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit, na shkatërruan lejet e ndërtimit

04/02/2005  Raporti i Qëndrës për Kërkime dhe Zhvillim

Kanë qenë mirë punët në 2004-ën me kontratat dhe çmimet, por fryma e besimit dhe e optimizmit ka rënë në 2005-ën. Ndërtuesit vazhdojnë të reflektojnë në sondazhin e bërë nga Qendra për Kërkime Ekonomike, optimizmin e muajve të shkuar, ku duket se punët kanë qenë të mbara për sektorin që renditet i dyti për të ardhurat që sjell në ekonominë e vendit. Por ngjarjet e fundit që shqetësuan botën e ndërtuesve shqiptarë, duke filluar nga mungesa e lejeve e deri te procedurat e stërholluara fiskale të 2005-ës, e kanë humbur imazhin e mirë. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike ka kontaktuar gjatë muajit të parë të 2005-ës rreth 200 firma në sektorin e ndërtimit në rrethet Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan dhe Shkodër, nga të cilat i kanë dhënë përgjigje pyetësorëve të Qendrës, duke hedhur dritë mbi ecurinë e punës në këtë sektor. Kanë qenë menaxherët e firmave të ndërtimit, ata që kanë treguar me hollësi gjithçka mbi kontratat, lejet e ndërtimit, çmimet e këtij sektori e deri tek informacioni më i fundit për punësimin. Mbështetur në këto të dhëna, mund të thuhet se treguesi i besueshmërisë në sektorin e ndërtimit është ulur nga tetori 2004 në janar të 2005-ës me 1 pikë. Megjithatë, duke e krahasuar me muajt më të mirë të 2004-ës, ai mbetet në nivele të lartë. Për Qendrën, kjo situatë është derivat i kohëve të frytshme të 2004-ës, që vazhon të japë fryte dhe në 2005-ën. Ndërkaq për sa i takon kontraktimeve, kjo pikë është gjykuar nga menaxherët e firmave si të mjaftueshme për vazhdimësinë e aktivitetit të tyre. Balanca e përgjigjeve pozitive me ato negative prej 3 pikësh në muajin janar 2005, është 2 pikë më i lartë se vlerësimi i kontraktimeve të muajit tetor 2004, nivel i cili është më i larti i regjistruar që nga prilli i vitit 2003. Balanca e përgjigjeve të menaxherëve dhe pronarëve të firmave të ndërtimit, në lidhje me parashikimin e çmimeve të ndërtimit, tregon një rënie prej 47 pikësh në krahasim me 3 muaj më parë, gjë që tregon se menaxherët po mundohen të mbajnë çmime konkurruese për ndërtimin, në mënyrë që të ruajnë nivelet e arritura të kontraktimeve. Tërësia e problemeve që paraqet sektori i ndërtimit, nuk japin shenjë pozitive për një vit me çmime konkurruese. Lejet e ndërtimit janë shkaku i uljes së numrit të kontraktimeve dhe më pas, siç kanë deklaruar dhe vetë ndërtuesit, të gjitha bashkë do të reflektojnë te çmimet. Duke ndjekur parashikimet e pronarëve të firmave ndërtuese, shikohet se punësimi ka shanse për rritje në periudhën në vazhdim, megjithëse balanca e përgjigjeve në muajin janar është 5 pikë më e ulët se 3 muaj më parë. Treguesi i ecurisë se aktivitetit të ndërtimit në 3 muajt e fundit, tregon për mundësinë e rritjes së aktivitetit të ndërtimit në tre 3-mujorë të njëpasnjëshëm gjatë vitit 2004.

Procedurat e lejeve të ndërtimit

Eshtë pengesa numër 1 që shqetëson të gjithë ndërtuesit. Rezultatet e anketimit përkojnë dhe me ultimatumin e ndërtuesve drejtuar shtetit, ku kërkohet zgjidhja me urgjencë e këtij problemi. Ndërtuesit janë tepër të shqetësuar për lejet e ndërtimit, mungesa e të cilave po u shkakton falimentin. Për këtë ata janë gati të fillojnë protestat. Kështu gjatë anketimit ka rezultuar se faktori më i përmenduar nga menaxherët e firmave të ndërtimit si pengesë e aktivitetit të tyre lidhet me procedurat e lejeve të ndërtimit, i cili përmendet nga 75 për qind e të intervistuarve. Ky është niveli më i lartë i regjistruar për këtë faktor dhe që shënon një rritje prej rreth 21 për qind në krahasim me 3 muaj më parë.

Zbatimi i Legjislacionit Fiskal

Keqhartimi apo keqzbatimi i legjislacionit fiskal është faktori i dytë pengues për drejtuesit e firmave të ndërtimit. Edhe ndikimi i këtij faktori është shtuar së tepërmi në 3-mujorin e fundit të vitit 2004, pasi niveli prej 68 për qind i firmave që përmendin këtë faktor pengues është jo vetëm në nivelin më të lartë historik të regjistruar, por ky faktor përmendet nga 28 për qind më shumë se 3 muaj më parë. Luhatjet e shpeshta të lekut dhe, sidomos rivlerësimi i shpejtë i tij kundrejt monedhës amerikane, po u shkakton me sa duket vështirësi reale menaxherëve të firmave të ndërtimit. Kjo, pasi në shumicën e rasteve kontratat paraprake të lidhura për shitjen e apartamenteve bëhen në dollarë, e cila, duke u zhvleftësuar kundrejt lekut, pakëson të ardhurat e firmave ndërtuese në momentin e arkëtimit të tyre.

Mungesa e Energjisë elektrike

Mungesa e energjisë elektrike është përsëri një faktor me peshë në sektorin e ndërtimit në muajin janar, pasi ai përmendet nga 50 për qind e firmave të intervistuara, me një rritje nga tetori prej 12 për qind. Po përsëri ky nivel është rreth 10 për qind më i ulët se mesatarja e këtij faktori për gjithë periudhën e anketimit. Ndikimi i konkurrencës së pandershme nga tregu i zi është relativisht i qëndrueshëm për gjatë gjithë periudhën e anketimit, duke u përmendur nga rreth 1/3 e të anketuarve. Faktorët e tjerë, si mungesa e fuqisë punëtore, vështirësitë financiare dhe mundësitë e kreditimit, janë faktorë që kanë një rënie të ndjeshme si faktorë pengues në sektorin e ndërtimit, ndërsa mungesa e kërkesës përmendet nga vetëm 17 për qind e të anketuarve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›