E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Shqipëri, klasa dygjuhëshe shqiptaro-franceze

04/02/2005  Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi dhe ambasadorja e Republikës së Francës në Tiranë, znj.Françoise Bourolleau, nënshkruan në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” konventën për krijimin e klasave dygjuhëshe, shqiptaro-franceze. Gjatë kësaj ceremonie, ministri Memushi vlerësoi nivelin e përgjithshëm të marrëdhënieve dypalëshe me Francën, të cilat patën një kulm zhvillimi me vizitën e fundit të Kryeministrit Nano në Paris. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Memushi, tha se me anë të kësaj konvente realizohet institucionalizimi i seksioneve dygjuhëshe shqiptaro-franceze. Dy shkollat, në të cilat është zbatuar deri tani sistemi dygjuhësh janë shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja "Asim Vokshi" në Tiranë, me drejtim shoqëror dhe shkolla e mesme e përgjithshme "Raqi Qirinxhi", në Korçë, (vetëm një klasë) me drejtim shkencor. Siç dihet, gjuha frënge përbën gjuhën e dytë të huaj më të përdorur në Shqipëri. Një përvojë e ngjashme është realizuar me palën italiane nëpërmjet nënshkrimit të "Memorandumit të Mirëkuptimit midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për seksionet dygjuhëshe italo-shqiptare”.

Në një universitet francez, s'jep provim gjuhën frënge

Pjesa më kryesore e nënshkrimit të kësaj konvente, do të jetë përjashtimi nga provimi i gjuhës frënge i nxënësve të diplomuar pranë këtyre seksioneve, të cilët duan të regjistrohen në universitetet franceze, dhe përfshirja e tyre në to, jashtë limitit të vendeve normalisht të tjetër do të jetë vënia në dispozicion nga pala franceze e mësuesve francezë, të cilët do të përfshihen në mësimdhënie dhe do të kontribuojnë në trajnimin e mësuesve vendas, si dhe kontributi i saj financiar për punësimin e tyre. Kjo marrëveshje përmban zotime konkrete të tilla si: angazhimi për të furnizuar seksionet me programe dhe tekste, si dhe premtimi për krijimin dhe pasurimin e bibliotekave me materiale, mjete audiovizive etj. Është pozitiv fakti që pala franceze merr përsipër trajnimin e mësuesve shqiptarë në kurse verore për perfeksionimin e gjuhës, në sesione trajnimi në vend dhe në rajon.

Akordim bursash

Krahas trajnimit të mësuesve, pala franceze angazhohet edhe për mbështetjen e nxënësve të diplomuar në këto seksione dhe për "akordimin e bursave për nxënësit me rezultate të larta", si dhe për nxitjen e binjakëzimeve midis shkollave franceze dhe seksioneve dygjuhëshe dhe më gjerë, diçka pozitive duke parë kërkesat e herëpashershme për binjakëzime. Të dy palët i kanë kushtuar vëmendjeje të veçantë çështjes së zgjerimit të hapësirave të bashkëpunimit, kryesisht në fushën e kërkimit shkencor e teknologjik. Memushi u shpreh se, MASH po shikon mundësinë që të hapet së shpejti dega e gjuhës frënge edhe në Universitetin e Shkodrës për të përgatitur mësues të kësaj gjuhe për veriun e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›