E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, oferta konkrete për punësimin e të dënuarve



Rregullorja e re/ Si mund të punësosh të dënuarit në biznesin tënd, dokumentacioni që duhet dorëzuar

Biznesi i ndërtimit është i pari që u është ofruar burgjeve për punësim të të dënuarve. Ata ofrojnë punë në bazë të kushteve të caktuara në rregulloren e re për të dënuarit dhe paraburgosurit që paraqesin kërkesë për t’u punësuar. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat bëjnë të ditur se “sapo kanë mësuar për punësimin e të dënuarve, të parët që janë ofruar me propozime konkrete kanë qenë ndërtuesit. Janë shprehur mjaft të interesuar për të punësuar pranë bizneseve të tyre të dënuar, në bazë të kushteve të vendosura nga vetë burgjet. Por, nuk ka munguar interesimi edhe nga fasonistët, lidhur me punësimin e grave të dënuara në biznesin e tyre. Janë njohur dhe me aftësitë e mjaft prej tyre përmes punimeve të ekspozuara çdo vit, ndaj dhe kanë menduar të paraqesin kushtet dhe ofertat për punësim. Çdo kontratë do të lidhet në bazë të neneve të rregullores së re”. Ndërkohë që mjaft biznese të tjera të interesuara për të rekrutuar punëtorë nga burgjet kanë shprehur interes, por nuk kanë pasur informacionin e duhur se si t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të propozuar kushtet dhe ofertën e tyre. Ndaj dhe, para se të ofrojnë punësim, të gjitha bizneset e interesuara duhet të njihen me dokumentacionin që duhet të dorëzojnë, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë për t’u pranuar si palë e tretë nga burgjet. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të ngrihet Komisioni i Përhershëm i Vlerësimit të Aktivitetit të Punës në Burgje. Ky komision përbëhet nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në cilësinë e kryetarit të komisionit; një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, anëtar; një përfaqësues nga Ministria e Financës, anëtar; një përfaqësues nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, anëtar; si dhe tre përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, anëtar.

Procedura për ushtrim aktiviteti në burgje

Procedura e vlerësimit dhe miratimit të kërkesës për të zhvilluar aktivitetin e punës përcaktohet në nenin 80 të kësaj rregulloreje të re. Kërkesa që paraqitet për zhvillimin e aktivitetit të punës, duhet të shoqërohet me dokumentacionin e përcaktuar në nenin 80. Në çdo rast që e gjykon të nevojshme, komisioni mund të kërkojë të dhëna të tjera nga punëdhënësi që ka paraqitur projektin. Komisioni merr vendim brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës dhe së rast mospranimi të kërkesës apo projektit të punës, komisioni duhet të shprehet në mënyrë të arsyetuar për mospranimin e saj. Ndaj vendimeve të komisionit për refuzimin e kërkesës apo projektit të punës, mund të bëhet ankim administrativ tek ministri i Drejtësisë sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Administrative dhe në gjykatë sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Çdo i burgosur që kërkon të punësohet, i paraqet kërkesë drejtorit të institucionit të ekzekutimit të vendimit. Drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim merr në konsideratë natyrën e punës për të cilën i burgosuri ka paraqitur kërkesë, gjendjen ekonomike të familjes së tij, kohën e qëndrimit në burg si dhe kohën kaluar në gjendje joaktive në punë gjatë periudhës së ekzekutimit të vendimit me burgim, mënyrën e sjelljes së të dënuarit, aftësitë profesionale të tij, detyrat e tjera të ngjashme të kryera në të kaluarën, personalitetin e të dënuarit, mundësitë objektive dhe hapësirat e lira në ambientet e institucionit ku zhvillohet aktiviteti i punës, si dhe çdo element tjetër për kryerjen e punës dhe brenda 10 ditëve, aprovon kërkesën apo lidh kontratën e punës. Në rast refuzimi i kthen përgjigje me shkresë kërkuesit duke paraqitur shkaqet e refuzimit. Për çdo kërkesë për punësim të të burgosurve drejtori i IEVP-së vlerëson kriteret e paragrafit të mësipërm lidhur me rrezikshmërinë e sigurinë dhe vendos për punësimin brenda ose jashtë IEVP-së. Punët me karakter artistik, artizanal ose intelektual mund të zhvillohen në ambientet e institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, me kusht që kjo të mos kryhet nëpërmjet përdorimit të pajisjeve të rrezikshme për rendin dhe sigurinë në burgje dhe të mos përbëjnë shqetësim për të dënuarit e tjerë. Me miratimin e kërkesës individuale për zhvillimin e aktivitetit të punës, drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim urdhëron krijimin e kushteve të nevojshme dhe plotësimin e procedurave ligjore për punësimin e të burgosurit. Nëse punëdhënësi është person i tretë, kontrata e punës lidhet midis tij dhe burgosurit ose drejtorit të institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim ku ndodhen të burgosurit, kur aplikohet kontrata e grupit. Institucioni ku do të zhvillohet aktiviteti i punës, duke respektuar legjislacionin në fuqi, u siguron personave juridikë publikë ose privatë, vendas apo të huaj të interesuar, gjithë informacionin e nevojshëm që lidhet me projektet e punësimit.

Kushtet e punës

Në projektet e punësimit të burgosurve, punëdhënësi duhet të parashikojë që t’i japë punëmarrësit mjetet dhe materialet e nevojshme për kryerjen e punës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe me marrëveshje ose kur këto mjete apo materiale mund të cenojnë sigurinë në burgje. Në projektet e paraqitura, punëdhënësi duhet të parashikojë edhe sigurimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës, mbrojtjen në punë, sigurimin teknik, kushtet higjieno-shëndetësore, mundësinë e përballimit të shpenzimeve për ushqim dhe trajtim mjekësor të punëmarrësve, transportin e punonjësve në qendrën e punës në rastin e punës jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit, si dhe çdo element tjetër të nevojshëm për zhvillimin e aktivitetit të punës. Në vlerësimin e projekteve të punës së kryer brenda institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për shfrytëzimin e ambienteve të punës mund të kërkohet shtesë e arsyetuar shpenzimesh ndaj punëdhënësve. Pas miratimit të projektit të punësimit, komisioni autorizon drejtorin e institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim ku do të zhvillohet aktiviteti i punës, për marrjen e masave për lidhjen e kontratave të punës, në përputhje me rregullat që parashikon ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, ligji nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” dhe aktet e tjera nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij. Kontratat e punës për të burgosurit nuk duhet të përmbajnë kushte më pak të favorshme se ato të parashikuara në kontratën e punës për punëmarrësit në gjendje të lirë, me përjashtim të kufizimeve që rrjedhin nga aktet ligjore dhe nënligjore për këtë kategori të punësuarish.

Kërkesa të veçanta

Në vlerësimin e projekteve, komisioni, përveç kritereve të përcaktuara në ligjin 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” i ndryshuar, i kësaj rregulloreje, mund të marrë në konsideratë edhe kërkesa të veçanta të miratuara nga ministri i Drejtësisë në bazë dhe për zbatim të kësaj rregulloreje apo ligjeve në fuqi. Përveç rasteve të parashikuara në ligj për masat disiplinore, punëdhënësi mund të përjashtojë të burgosurin nga puna, duke respektuar procedurën ligjore për zgjidhjen e kontratës së punës, për shkaqe që konsiderohen të arsyeshme në bazë të legjislacionit të punës në fuqi. Personat juridikë publikë ose privatë, vendas apo të huaj, mbajnë dokumentacionin e nevojshëm për punën e të burgosurve. Formatet e dokumenteve hartohen në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet e punës dhe miratohen nga ministri i Drejtësisë. Administrata e çdo institucioni të ekzekutimit të vendimeve me burgim harton dhe i dërgon çdo muaj komisionit, informacion në lidhje me zbatimin e projekteve të punës si dhe çdo të dhënë tjetër për punësimin e të burgosurve. Në fillim dhe në fund të çdo viti, Komisioni i Përhershëm i Vlerësimit të Aktivitetit të Punës në Burgje përgatit një informacion të hollësishëm lidhur me punësimin e të dënuarve, kërkesat dhe nevojat për punë dhe shërbime, planifikimin e investimeve, ngritjen e reparteve të punës, si dhe çdo problem tjetër që lidhet me këtë aktivitet.

Dokumentacioni për ushtrim aktiviteti në burgje

a) Formulari standard i aplikimit i plotësuar, i cili miratohet nga ministri i Drejtësisë, me propozim të komisionit;

b) Vendimi i gjykatës për regjistrimin si person juridik të kërkuesit, në të cilin duhet të jetë përfshirë aktiviteti për të cilin kërkon të punësojë të burgosurin;

c) Certifikata e regjistrimit në organin tatimor;

ç) Vërtetim nga gjykata, prokuroria, shërbimi i përmbarimit dhe organet tatimore ku tregohet se personi i interesuar nuk është në proces gjyqësor, hetimor apo ka detyrime të pashlyera;

d) Informacion të detajuar për:

- llojin e aktivitetit që kryen,

- numrin e fuqisë punëtore të punësuar,

- nivelin e pagës që ai paguan për punëmarrësit,

dh) Numri i llogarisë bankare;

e) relacion përshkrues të projektit të punës dhe të dhëna për:

- numrin e punonjësve që kërkon të punësojë,

- profesionin për të cilin do të punësohen,

- përshkrimin e aktivitetit që do të kryejnë këta punëtorë,

- kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës,

- llojin e kontratës që kërkon të zbatojë,

- nivelin e pagës që propozon për punëmarrësit e tij.

ë) Të dhënat financiare të vitit të mëparshëm nëpërmjet bilancit të konfirmuar nga organet tatimore, i cili duhet të rezultojë pozitiv në mënyrë që kërkesa e personit juridik të merret në konsideratë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›