E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndertuesit te barabarte perpara ligjit

Draft plani urbanistik i kryeqytetit është një dhuratë për qytetarët e Tiranës sepse mbi gjithçka tjetër është përqendruar në rritjen e cilësisë dhe standarteve të jetës.
Kështu e komenton , Avenir Kika kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, planin që do të rregullojë kryeqytetin pas 22 viteve mungesë.
Por sa do të ndërtohet në blloqet që detajuara të Tiranës?  Kjo është një pyetje ende pa përgjigje sepse do t’i nënshtrohet konsultimit me Shoqatën e Ndërtuesve dhe pronarët e trojeve.
“Ne do të diskutojmë rritjen e intensitetit të ndërtimeve në ato zona ku koefiçenti i shfrytëzimit të ndërtimit është më i ulët. Kemi gjetur konsensusin e përbashkët me Bashkinë e Tiranës, grupin teknik dhe pronarët e trojeve që të nisim kontaktet direkte për të gjetur rrugën e duhur në interest ë të gjithëve e veçanërisht qytetarëve”, vuri në dukje Kika.
Hartimi i planit urbanistik pritet që së shpejti të shndrrohet në një ligj për ndërtuesit të cilët nuk do të mund të ndërtojnë kuturu dhe as nuk do të mund t’u shmangen taksave dhe detyrimeve të tjera ligjore.
 “Për ne plani është një arritje sepse në fund të fundit të gjithë ndërtuesit janë të barabartë përpara ligjit, përpara planit. Dhe nëse arrihet edhe ekuilibri i kërkuar që të mos ketë diferencime të mëdha të koeficentit të ndërtimit midis qendrës e periferisë, do jetë edhe më i madh interesi indërtuesëve për të ndërtuar. Duke ndërtuar sipas planit, do të ketë më shumë rrugë, kopshte, çerdhe e shkolla. Njëkohësisht ky plan nuk lejon më ndërtime pa leje në Tiranë, qofshin individuale të shtëpive një katëshë, qofshin të pallateve shumëkatësh. Ky plan në mëmyrë të prerë do ti japë fund ndërtimeve pa leje të cilët kanë shkatërruar tregun në Tiranë dhe fizionominë e qytetit”, nënvizoi ai.
Kryeqyteti do të ketë 7 pole zhvillimi të cilat do tu japin mundësi ndërtuesëve të punësojnë më shumë njerëz dhe t’i paguajnë më shumë taksa bashkisë.
Po apartamentet do të pësojnë rritje apo ulje të çmimeve të tyre?
 “Unë mendoj se do të ulë cmimet e apartamenteve. Nëse do të masivizohet urbanizimi në zona të cilat janë informale dhe do të ketë më shumë leje ndërtimi sic edhe shpresojmë, qytetarët do të kenë avantazhin e cmimeve më të ulta por do të ketë edhe avantazhe të tjera sepse Bashkia do të marrë më shumë taksa të cilat do ti vendosë në funksion të qytetarëve. Të gjitha këto janë në interes të përbashkët të qytetarëve, pronarëve të trojeve dhe ndërtuesëve të cilët do ti nënshtrohen diskutimeve këta dy muajt në vazhdim”, sqaroi Kika.
Tashmë plani urbanistik i është nënshtruar diskutimeve dhe konsultimeve që në fund të gjithë grupet e interesit e veçanërisht qytetarët të jenë pjesë e vendimarrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›