Rrëfimi tronditës i Masës: F1 më shpëtoi nga droga
Gjatë një interviste të dhënë për radion braziliane "Jovem Pan", Felipe Masa ka rrëfyer një pjesë tronditëse të së kaluarës së tij. "Njoh persona që kanë pasur probleme me drogën", tha piloti i Ferrarit. "Por, nëse dikush ka objektiva të qartë në jetë, ashtu siç unë kam pasur sportin, këto rreziqe mund të evitohen. Janë të shumtë ata që kanë rënë në këtë grackë, por jo unë: për mua droga nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme". Masa foli edhe për situatën e tij, në kuadër të Botërorit 2010 në Formula 1. "Gjithçka funksionon shumë mirë dhe kjo bën të jem tejet i lumtur, pasi e ndiej se jam në gjendje të bëj punën time. Nuk kam nevojë të përmirësohem, sot jeta ime është normale, e njëjtë si më parë. Në pikëpamjen fizike vazhdoj të stërvitem si më parë, çdo gjë po shkon si duhet, muskujt, zemra. Ndihem gati për të pilotuar në çmimet e mëdha, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik". Më tej, braziliani ka folur edhe për ndjesitë si prind i ri: "Është një ndryshim shumë i madh në jetën time. Nuk do të jem më thjesht një pilot. Tani jam një baba që duhet të shqetësohet jo vetëm për jetën e tij, por edhe për atë të djalit. Gjithsesi, prioriteti im është që të kthehem sërish në pistë, jam i përgatitur për çdo gjë, madje edhe për një tjetër aksident".