Ndeshjet e Kombëtares kurdiseshin në Greqi

Në bazë të materialit audio që ka në dorë policia greke, një person i ashtuquajtur “Portugezi” i propozon kreut të një prej katër grupeve, me emrin Marko Karamberi, të luajnë shuma të mëdha parash në dy prej ndeshjeve miqësore të kombëtares shqiptare, në verën e kaluar, me Argjentinën dhe me Malin e Zi.
Sipas tij, çdo gjë ishte e rregulluar, sepse kishte biseduar me trajnerin e ekipit shqiptar, madje në ndeshjen me Malin e Zi. Sipas Karamberit, fitimi do të ishte trefish i sigurt dhe mund të kurdisnin çfarëdo rezultati.
Personi që drejtonte këtë organizatë mafioze të këtij qyteti, ishte pronar i disa klubeve të natës, ndërsa në llogarinë e tij bankare janë gjetur mbi 5.5 milionë euro që rezultojnë të jenë fituar nga vënia e basteve në ndeshje të cilat, sipas organeve greke, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kurdisur.
Në orët e ardhshme priten të publikohen të dhëna të tjera nga zbardhja e 3500 faqeve me biseda telefonike, në gjithsej 15000 faqe që përbëjnë dosjen e kësaj çështjeje që ka tronditur jo vetëm qytetin verior, por gjithë Greqinë. /tch/