E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndëshkohen 11 kompani nafte

17/03/2011  IQT inspekton 430 subjekte, akte ndalimi për 8 prej tyre, për shkelje të kushteve të sigurisë

METE heq licencën për 4 kompani dhe pezullon 7 tregtues të tjerë

Tregtimi i parregullt i karburanteve u ka kushtuar licencën 4 kompanive dhe për 7 të tjera është hequr leja e tregtimit për 30 ditë. Ministria e Ekonomisë njoftoi dje marrjen e masave për shoqëritë e tregtimit të karburanteve, pasi aktiviteti ekonomik i tyre nuk zhvillohej sipas ligjit. Kanë qenë inspektimet e fundit të Inspektoratit Qendror Teknik, pas urdhrit të ministrit Nasip Naço, të cilat kanë sjellë këtë rezultat. Urdhri për verifikimin e shqetësimeve në adresë të METE-s për tregtimin e naftës bruto jashtë destinacionit ligjor dhe teknik të përdorimit të saj bëri që inspektorët e IQT-së të realizonin 430 inspektime. Në 8 të tilla janë lëshuar akte ndalimi për shkelje flagrante të kushteve teknike të sigurisë.

Masat për shkeljet

METE vendosi heqjen e licencës për 4 shoqëri dhe për pezullimin e veprimtarisë për 7 shoqëri të tregtimit me shumicë. Grupi i punës ka verifikuar të gjitha shoqëritë e tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj. Ministri Naço i kërkoi kryeinspektorit të IQT-së zbatimin me rigorozitet të ligjit “Për përpunimin transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, dhe në rast të konstatimit të shkeljeve zbatimin me rigorozitet të të gjitha sanksioneve që parashikon ligji, nga vendosje gjobe deri në heqjen e lejes së tregtimit apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë. Gjatë inspektimeve janë plotësuar akte kontrolli dhe akte inspektimi, duke përcaktuar detyra me afate për vendosjen e instalimeve sipas kërkesave teknike të sigurisë dhe njëkohësisht duke paralajmëruar subjektet se për mosplotësimin e detyrave do të vendosen gjoba sipas kërkesave ligjore. Ministri Naço kërkoi nga shoqëritë që operojnë në fushën e prodhimit të naftës bruto mbi bazën e marrëveshjeve hidrokarbure, të zbatojnë në mënyrë korrekte këto marrëveshje për të mos lejuar në asnjë rast tregtimin e prodhimit të tyre për t’u përdoruar si lëndë djegëse jashtë destinacionit ligjor dhe teknik. Për kontrollin e kësaj veprimtarie u urdhërua që përveç IQT të angazhohen direkt edhe strukturat e AKBN brenda detyrave dhe kompetencave të tyre.

Hiqet licenca:

Shoqërisë "Erkoci-Ad-El" sh.a.

Shoqërisë "Dhima" sh.a

Shoqëria"Omegaz Energy" sh.a

Shoqëria "Edi Kompani" sh.a

Pezullim licence (leja e tregtimit):

Shoqëria "Tiramol" sh.a

Shoqëria "Albania Airlines & Jet Fuel Supply" sh.a

Shoqëria "Beusal" sh.

Shoqëria "Pilinci Enterprise Co"

Shoqëria "Orient" sh.a

Shoqëria "Jemishta" sh.a

Shoqëria "Auto Lubrifikant" sh.a

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›