Ndëshkojmë ish-spiunët e lagjes, premiojmë ish-shefat e zyrave
Nuk më duket e rastit që, pikërisht në këto çaste delikate, klanet politike nxitën stuhinë zhurmuese për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit. A është koha për këtë?
Skena politike ka pikëpyetje të mëdha si, tragjedia Gërdeci, autostrada e korrupsionit patriotik, Durrës-Morinë, procesi gjyqësor kundër Gazidedes, Sefgjinit, për zhdukjen e z. Remzi Hoxha, Damir Fazliç, si simbol i shtetit të kapur nga paraja, etj., etj.
E dyta, është më kollaj të merresh me dosje 40-45-vjeçare se me çështjet e mprehta që rëndojnë mbi kurrizin e shqiptarëve dhe me qeverisjen e vendit. E gjithë bota merret me krizën financiare, ne merremi me pallavra. Dhe merremi në mënyrën më të keqe. Duam të ndëshkojmë ish-spiunët e lagjeve, ndërkohë që ish-shefat e tyre janë në qeverisje dhe opozitë.
Dikush t’i bëjë thirrje politikës të gjejë zgjidhje që të na thotë afate për dritat që mungojnë, për ujin që vjen me orar të reduktuar, për papunësinë. Këto janë detyra jetike të çdo qeverie e parlamenti në botën demokratike.
Këta trazovaçë të politikës shqiptare, luajnë e bëjnë tollovi, por nuk zgjidhin problemet jetike të vendit që kanë marrë përsipër të qeverisin.