Një zbulim që mund të shkaktojë jo pak andralla me Gërdecin
Lexova në një revistë se fare rastësisht është bërë dhe një zbulim, që mund të shkaktojë jo pak andralla edhe për ish-zyrtarë që nuk janë nën hetim. Një nga ta është ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Thuhet se, natyrisht jo e konfirmuar, që në kohën kur SAC-i bëri ofertën për demontimin e fishekëve, e njëjta gjë u kërkua – paraqitja e një analize kostoje – nga ndërmarrjet ushtarake në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo kosto ishte më e ulët se ajo që afronte SAC-i amerikan dhe derivati i tij shqiptar, Albademili i Delijorgjit. Nuk dihet se në çfarë rrethanash, por drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve ju kërkua të ribënin sërish llogaritë e tyre dhe herën e dytë: Bingo, SAC-i ishte më i pranueshëm nga pikëpamja ekonomike.
Gafa e radhës e zyrtarëve të shtetit, ishte se në materialet e dërguara për miratim në mbledhjen e qeverisë; në vend të fletës së dytë me kosto të “lartë” shqiptare, ishte dërguar fleta e parë që, normalisht, duhet të kishte nxjerrë jashtë loje SAC-in.
Gjithashtu, nuk dihet dhe nuk ka nga të dihet nëse ky detaj është i përfshirë në dosjen hetimore të skandalit tragjik të Gërdecit dhe nëse janë prokurorët e çështjes në dijeni të tij.