E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëronjësit e plagosur

“Principi themelor i Mjekësisë është dashuria”

PARACELSUS (1493-1541)

Ti e mban mend atë ditë tetori plot shkëlqim. Shkëlqimi i Kalifornisë Jugore, gjithmonë më ka kujtuar Sarandën në verë. Atë ditë t’i drejtoje makinën, unë isha në krahun tënd. Pas nëntëdhjetë miljesh udhëtim në autostradën Nr. 5 S, arritëm në “Naval Medical Center”, San Diego.

Duke pritur radhën, shfletova një revistë që ishte në njërën nga tavolinat e sallës së pritjes. Më tërhoqi vëmendjen titulli i një artikulli: “Dashuria largon frikën”. Artikullin e kishte shkruar një doktor. Ti atëherë ishe “marins” dhe nuk kishe hyrë akoma në skenën e madhe, ku aktorë janë doktorët dhe pacientët.

Tani që ti je doktor, do ta kuptosh mirë atë që shkruhej në atë artikull, ndaj, po ta përmbledh.

“Dashuria është vështirë të studiohet në mikroskop, por kërkimet mjekësore kanë filluar të vërtetojnë efektet e saj.Njerëzit që bien në dashuri e kanë të ulët nivelin e acidit laktik në gjak, kjo i bën ata ta ndjejnë më pak lodhjen. Ata kanë nivel të lartë të endorfinave që i bën euforikë dhe ta ndjejnë më pak dhimbjen. Rruazat e bardha të gjakut të tyre luftojnë më mirë me infeksionet. Ata sëmuren më rrallë nga të ftohtit. Fëmijët e vegjël që nuk e kanë provuar dashurinë e prindërve, vdesin më shpejt, edhe kur vendosen në kushte shumë të mira sanitare dhe ushqimore. Filmat për dashurinë rritin nivelin e immunoglobulinave-A në pështymë, që është mbrojtësi kryesor kundër të ftohtit dhe sëmundjeve të tjera virusale. Një dokumentar apo një tregim për Nënë Terezën dhe punën e saj, shkakton një rritje të menjëhershme të immunoglobulinave, veçanërisht, në persona të motivuar me altruizëm. Kompanitë e inshurancave kanë konstatuar se një grua që e puth burrin e saj në mëngjes, kur ai del nga shtëpia, bën që ai të bëjë më pak aksidente dhe të jetojë pesë vjet më shumë. Dashuria e bën jetën që t’ia vlejë ta jetosh, pavarësisht sa e gjatë është.Dashuria rrit mundësitë për shërim fizik”.

Më tej, artikulli vazhdon me konstatimin: “Pacientët na kanë shndërruar ne doktorëve në zota dhe i luten hyjnisë tonë, duke na dorëzuar trupat dhe shpirtrat e tyre, pa menduar fare se edhe ne jemi tokësorë.

A nuk mjafton vetëm kjo, që ne të kemi për ta shumë dashuri?

Ata e dorëzojnë jetën e tyre tek ne, pa ditur se ne jemi më të lënduarit në të gjithë qenien njerëzore.

Studimet më të fundit kanë treguar se ata që praktikojnë mjekësinë, i paguajnë me çmim shumë të lartë përfitimet që vijnë prej saj.

Përqindja e lartë e përdorimit të drogës prej mjekëve, përqindja shumë e lartë e “mizerjes martesore” tek ata, angazhimi në marrëdhënie erotike me pacientët, kanë bërë që suicidi të jetë katër herë më i lartë midis mjekëve, se sa në pjesën tjetër të popullsisë.

Këto statistika tregojnë anët më të dukshme të një problemi, që është shumë kompleks. Por, edhe mjekët që duket sikur kooperojnë me sukses me përgjegjësinë e detyrës, kohë pas kohe, ndjehen të përmbytur nga kërkesat e profesionit.

Shoqëria mundohet të bëjë gjithçka për të izoluar shumicën e njerëzve nga vdekja dhe vuajtjet, ndërsa mjekët, për arsye të misionit të tyre, janë vazhdimisht të ekspozuar në të gjitha aspektet e mizerjes njerëzore. Por, nuk është kjo e gjitha. Në asnjë fushë tjetër të aktivitetit shoqëror, kërkesat e publikut nuk janë më të larta dhe pasojat e dështimeve profesionale më shkatërruese, sa janë tek mjekët.

Edhe pse të tillë, ata janë vigjilentë deri në dhimbje gjatë gjithë jetës, që e kanë më të shkurtër nga të tjerët. Vuajtja e tyre është aq intensive sa nuk ka krahasim”.

E lexova dy herë artikullin, pastaj e lashë revistën mbi tavolinë.

“Shëronjësit e plagosur”!!!.Kështu i përfytyrova në atë moment doktorët dhe punën e tyre, duke pritur radhën për radioterapinë. Tingujt e një kambane të vogël, të varur në hyrjen e klinikës, më shkëputën nga këto mendime. Një i sëmurë që kish mbaruar kursin tridhjetegjashtëditor të radioterapisë, sipas zakonit, duhej të tundte këtë kambanë që shkëlqente para se të largohej nga klinika, ndërsa të gjithë të pranishmit duartrokisnim suksesin e mjekimit të tij.

Mua më kishin mbetur akoma shumë ditë deri sa të më vinte radha të tundja kambanën. Kush di pse bien kambanat në kishë, e kupton dhe idenë e kësaj kambane në klinikën e radioterapisë.

Shumë i mençur dhe zemërmirë ka qenë ai që e ka lënë këtë revistë këtu, thashë me vete. Tamam këtu, ku njerëzit luftojnë për jetën, u duhet më shumë dashuria e të tjerëve, veçanërisht e doktorëve.

Ndërkohë erdhi radha ime. Kur po ktheheshim, në mendje më silleshin idetë e artikullit. Kujtimet më çuan shumë vite prapa. Historia e mjekësisë ka shumë shembuj të heroizmit dhe vetësakrifikimit të doktorëve nga dashuria për të sëmurët. Për ta janë shkruar volume të tëra nga mjeshtra të penës. Heronjtë e mi, për të cilët unë mendoja në ato çaste, ishin ata mjekë të thjeshtë, që pa bujë e plot devocion kishin shpëtuar jetë njerëzish, duke rrezikuar të tyren. Heroizmi i tyre është i fshehur, i heshtur. Atë nuk e dinë pacientët që kanë humbur koshiencën në luftën me vdekjen. Atë nuk e dinë familjarët e të sëmurëve që i ndajnë nga vendi ku ndodhin këto skena, mure të trashë. Shpesh nuk dinë për këtë as familjarët e heronjve. Jam ndodhur shpesh në situata të tilla, si dëshmitar i këtij heroizmi.

Në mend më erdhi historia që po ta tregoj:

Ditë e ftohtë janari. Bora, që kish mbuluar vendin, i jepte shkëlqim të veçantë ndriçimit të diellit atë ditë. Era e ftohtë ulërinte si e tërbuar jashtë dhe gjente plot të çara që të hynte edhe në atë dhomë spitali të ngrohur keq, ndonëse në dritare ishin vendosur plot çarçafë e lecka.

Një fëmijë 9 muajsh, me krupp difterik, në ethe, i mavijosur, merrte frymë me zor e me shumë zhurmë. Për të kaluar me piskamë llahtarisëse nëpër rrugët e ngushtuara atë pak frymë, fëmija i mjerë tërhiqte të gjitha muskujt e gjoksit dhe të qafës, sikur lutej për pak ajër.

Doktori, me shpejtësi vendosi thikën mbi fytin e fëmijës dhe hapi një vrimë, ku do të vendoste kanjulën trakeale. Kjo ishte e vetmja mundësi për të lehtësuar frymëmarrjen. Sa u hap vrima, filloi një kollë e pandërprerë dhe një sasi e madhe sekrecionesh me shkumë, me gjak, dhe, membrana difterie spërkatën doktorin dhe ata që ishin afër. Doktori vendosi kanjulën. Kolla ishte munduese. Zemra, deri tani me të rrahura të çrregullta, ndaloi. Doktori mbylli hundën dhe gojën e fëmijës me dorë dhe vendosi gojën e tij tek vrima në fyt plot sekrecione dhe gjak. Ai filloi të fryjë frymën e tij në mushkëritë e fëmijës. Të gjithë të pranishmit u rrëqethën nga kjo pamje tronditëse. Doktori e përsëriti disa herë këtë veprim të kombinuar me masazhin e jashtëm të zemrës, që u pasua nga doktorë të tjerë të pranishëm, të cilët vazhduan të bënin të njëjtën gjë, njëri pas tjetrit. Kjo vazhdoi derisa fëmija ndryshoi ngjyrë dhe zemra filloi të rrahë. Në buzët e tyre vareshin sekrecione, membrana dhe koagula gjaku.

Pasi fëmija u qetësua, disa diskutonin ç’duhet të bëjnë doktorët. U mendua të bënin gamaglobulinë dhe të vaksinohen kundër difterisë. Përfundimisht, asgjë nuk ubë.

Një mjek i ri, tek po largonte sekrecionet nga buzët tha: “Kur isha student në fakultet, një pjesë e grupit “sëmurej” me ndonjë nga sëmundjet që kishim në diskutim. Frika ime ishin sëmundjet ngjitëse të rrugëve të frymëmarrjes. Kur kryeja ciklin e tuberkulozit në Sanatorium, isha i frikësuar për vdekje se mos infektohesha dhe vdisja. Fantazoja sikur të bëja një frymëmarrje të thellë para se të hyja në pavijon dhe të mos merrja më frymë sa të mbaronte cikli. Sot mora një mësim të madh. Kuptova se frika, qëndrimi pasiv dhe paaftësia për të ndihmuar të tjerët, ndodhin kur mendon vetëm për veten. Sot unë e flaka frikën dhe u përqendrova i gjithi në ndihmën që duhet t’i jap këtij fëmije... Ky fëmijë u bë një mësues i paçmuar për mua”.

Pas shumë vitesh punë, në një praktikë të ngjeshur mjekësore, vetëm atë ditë, atje në klinikën e radioterapisë, unë kuptova se çfarë i mbron doktorët. Kuptova pse ata nuk infektohen dhe e ruajnë qetësinë dhe ekuilibrin mendor edhe para gjendjeve lebetitëse, me të cilat paraqiten të sëmurët në klinikat e tyre. Dashuria që kanë për të sëmurët është polivaksina dhe antistresanti universal që mbron doktorët. Ata gëzohen me gjithë shpirt kur i sëmuri shërohet. Dashuria dhe gëzimi i fitores janë dy faktorë të fuqishëm, që nuk ka sëmundje t’i mundë.

*Artikulli është shkruar në formën e një letre të autorit, dërguar të birit mjek. Është artikulli i tretë i ciklit të Dr. Harxhit në “Shekulli”; “Letra tim biri”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›