Presidenti transferon dhjetë prokurorë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje pasdite 10 lëvizje të prokurorëve. Lëvizja është kryer në një kohë që në organin qendror të akuzës po përpilohej lista e prokurorëve që do të hetonin çështjen e Gërdecit. Konkretisht, Topi ka dekretuar lëvizjen e prokurorit Shkëlqim Hajdari, i cili lë Prokurorinë e Tiranës dhe zhvendoset në Apel. Hajdari, një emër i lakuar për postin e kryeprokurorit, ka hetuar më parë disa dosje të rëndësishme, si ajo e vrasjes së liderit të dhjetorit Azem Hajdari. Një lëvizje tjetër e rëndësishme është ajo e prokurorit Artan Madani, i cili është njëkohësisht anëtar i këshillit të prokurorisë. Madani është transferuar nga Durrësi në Lezhë. I treti është transferimi i prokurorit Florian Bonjaku nga Prokuroria e Lushnjës në Krujë. Bonjaku në CV-në e tij ka kryesimin e disa arrestimeve të bujshme të anëtarëve të Bandës së Lushnjës. Një tjetër lëvizje e miratuar nga Presidenca është ajo e Erjon Çelës, zv/drejtuesit të Shoqatës së Prokurorëve, i cili është transferuar nga Saranda në Vlorë. Ndërkohë, është dekretuar edhe transferimi i ish-kryeprokurorit të Vlorës, Petrit Çano, në Lushnjë. Më pas vijnë transferimet e Petrit Fushës, nga Shkodra në Tiranë, e Ylli Dhimitrit nga Fieri në Kavajë. Ndërkohë, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Durim Bedini, transferohet në Kavajë, prokurori Ritvan Suka nga Tropoja transferohet në Elbasan dhe Ndini Tavani, nga Lushnja shkon në Vlorë.