E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, 1700 përfitues të rinj më 2010

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Skema e ndihmës ekonomike për vitin 2010 do të zgjerohet me kategori të reja përfituese. Pritet që të trajtohen me përkrahje sociale gati 1700 përfitues të rinj. Sipas të dhënave nga Ministria e Punës parashikohet që të përfitojnë mbështetje për herë të parë rreth 800 persona jetimë, 400 persona viktima të trafikut dhe 500 gra në rastet e praktikave të divorcit. Fondi për këtë skemë, parashikohet të jetë më i lartë, ndërkohë që do të shtohen monitorimet e rrepta nga institucionet përgjegjëse për të hequr nga skema familjet abuzuese. Kjo ka qenë deklarata e drejtorit të Shërbimit Social Shtetëror Mihal Naço, dje në media. “Në qoftë se për vitin 2007 janë alokuar për fondet e ndihmës ekonomike 2.6 miliardë lekë, për vitin 2010 kjo shifër dyfishohet dhe arrin në 5.2 miliardë lekë. Gjithashtu, parashikohet që në vitin 2011 të arrijë në 6.2 miliardë lekë dhe në vitin 2013 të arrijë në 6.8 miliardë. Ndonjëherë janë interesat klienteliste të anëtarëve të këshillave komunale ose bashkiake, të cilat fusin në skemën e ndihmës ekonomike përfitues, të cilët nuk duhet të jenë në këtë skemë”, - tha Naço. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror ndërkohë ka theksuar se skemës së ndihmës ekonomike, do ti shtohet dhe paketa ushqimore nga e cila do të përfitojë çdo familje në nevojë. “Do të jetë një paketë e cila do të jepet në formë të një kuponi për familjet ekstremisht në nevojë dhe do të jepet një herë në 3 muaj, 4 herë në vit, me 2500 lekë për familje”, - tha Naço. Aktualisht në vendin tonë janë rreth 94 mijë familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Deri në vitin 2013 parashikohet që ky numër të reduktohet në 70 mijë familje, çka tregon dhe një ulje të nivelit të varfërisë në vend.

Ky lajm është publikuar: 27/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›