Ndihma ekonomike, dyfishim me anë të punësimit në zonat e varfra
Hyrja e punës komunitare dhe bashkëpunimi më i ngushtë mes pushtetit qendror dhe vendor është zgjidhja që do t`i japë qeveria varfërisë në zonat me nivel të ulët jetese në vend. Burime nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, do të angazhohen në punë komunitare sezonale, duke shtuar të ardhurat e tyre, pa humbur ndihmën ekonomike. Ky projekt pritet të zbatohet fillimisht në zonat e varfra të vendit, si zona verilindore dhe juglindore.
Ndryshimi
Punësimi sezonal nga pushteti lokal në këto zona është parë si një mundësi që do të dyfishojë të ardhurat e të gjithë personave me ndihmë ekonomike, pa humbur të drejtën e kësaj ndihme, në bazë të projektit të ri të qeverisë. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se kjo do të mundësohet nëpërmjet granteve të posaçme të qeverisë, që do të destinohen në komunat dhe rrethet e varfra të vendit, për të mundësuar punësimin e këtyre personave.
Ky punësim do të jetë më së shumti sezonal dhe ka të bëjë me ata sektorë ku nevojitet personel i mëtejshëm. Në këtë mënyrë, drejtoritë pyjore rajonale pritet të kenë më shumë personel gjatë muajve të verës, ku do të duhet të përballen me zjarret, nëpërmjet këtyre programeve. Pagat do të përballohen nga grantet me destinacion të caktuar, që do të japë qeveria ndaj pushtetit lokal. Gjithashtu, edhe sektorë të tjerë të punëve komunitare do të kenë përparësi, sipas burimeve.
Drafti
Drafti tashmë është përgatitur dhe pritet të kalojë për miratim në mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Ministrave. Ky projektvendim i propozuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka qenë rezultat i punës së një grupi ndërministror të ngritur me nismën e Kryeministrit Berisha. Ndryshimet që pritet të kryhen me anë të këtij vendimi, kanë të bëjnë më së shumti me rritjen e gamës së përfituesve të ndihmës ekonomike.
Kështu, kriteri i të pasurit pak të ardhura nuk do të jetë i vetmi që do të përdoret. Një sërë kategorish do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljarë njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së prindërve ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. Gjithashtu, pavarësisht të ardhurave që do të ketë një familje, që ka si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetraplegjik ose invalid pune; si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtaret e familjes së tij janë mbi dhe nën moshe pune, të cilët nuk përfitojnë pension; do të marrin ndihmë ekonomike.
Kjo risi pritet që të propozohet në mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Ministrave e më pas të kalojë në Kuvend për t`u miratuar.