E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike formule e re aplikimi

Shumë shpejt për përfitimin nga skema e ndihmës ekonomike do të fillojë të aplikohet një formule re, ajo e pikëzimit. Nëse përgjatë këtyre viteve, familjarët kanë përfituar nga skema duke u përzgjedhur në sajë të një vetëdeklarimi pranë njësive vendore, tashmë familjet do të duhet të përballen me një lloj pyetësori i cili do të ketë pyetje përsa i përket gjendjes ekonomike, shëndetsore, arsimi etj. Formula e re pritet që të shmangë abuzimet  dhe të risë numrin e familjeve. Të gjitha detajet i bëjnë publike për AS autoritetet e Shërbimit Social Shtetëror.

“Nëse do të ndëshkohen apo jo familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, këtë për momentin nuk mund ta them, por do të bëhet më e mira e mundshme që mbi bazën e kësaj formule ndihma ekonomike të shkojë tek ato familje të cilat kanë vërtet nevojë. Është detyrë e administratorit që të bëjë verifikimin e kushteve sociale ekonomike, ndryshimeve të këtyre kushteve dy herë në vit për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe një herë në vit për familejt që futen në skemën ekonomike. Këto ndryshime administratori I paraqet në formularin e tij”- thotë Leonard Strazimiri, drejtor i pagesave në kesh në SHSSH.

Formula e re e cila pritet të aplikohet fillimisht në disa qarqe të vendit, nën asistencën e Bankës Botërore, pas miratimit do të administrohet nga njësite vendore, por përpara se ajo të zbatohet për më shumë se 95 mijë familjet e skemës ajo do të miratohet me vendim qeverie.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›